Numri i të vdekurve nga uragani shkatërrues që goditi resortin meksikan të plazhit Acapulco javën e kaluar është rritur në 39, tha qeveria të shtunën, ndërsa presidenti, Andrés Manuel López Obrador, akuzoi kundërshtarët e tij për ekzagjerim të shkallës së katastrofës.
Uragani “Otis” goditi Acapulcon, në shtetin jugor të Guerreros, me erëra prej 266 km/h të mërkurën, që përmbytën qytetin, shkruan Guardian, transmeton Klankosova.tv.
Qeveria, e cila më parë raportoi 27 të vdekur dhe katër persona të tjerë të zhdukur, deri më tani ka lëshuar pak informacion për të vdekurit dhe të plagosurit. Plaçkitjet kanë vazhduar dhe banorët në lagjet e goditura fort, duke luftuar për të gjetur ushqim dhe ujë, kanë akuzuar qeverinë se nuk ka dhënë ndihma të mjaftueshme.