Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka njoftuar se numri i viktimave nga epidemia e kolerës në Jemen në muajin e fundit është rritur në 473, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një raport të përgatitur nga OBSH thuhet se që nga 27 prilli e deri më tani kolera është vërejtur te 52 mijë persona dhe se 473 persona kanë humbur jetën nga epidemia.
Sipas raportit, vetëm në dy ditët e fundit në 19 qytete janë regjistruar mbi 13 mijë raste të dyshimta të kolerës.
Krahas organizatave ndërkombëtare si OBSH, Fondi Emergjent i Fëmijëve pranë Kombeve të Bashkuara (UNICEF) dhe Kryqi i Kuq, ndihma mjekësore në Jemen kanë dërguar edhe Qendra Humanitare e Mbretit Selman, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Hënat e Kuqe të Katarit.
Rreth tre milionë njerëz të shpërngulur si pasojë e luftimeve që vazhdojnë në Jemen prej më shumë se dy viteve, çdo ditë ballafaqohen me rrezikun e infektimit nga kolera si rezultat i mungesës së ujit të pastër për pije dhe grumbullimit të mbeturinave.