Inspektorati i Punës shton punëtorët, inspektimet dhe gjobat – Nikçi: Më 2024 do t’i rekrutojmë edhe 60 inspektorë

Prishtinë | 27 Jan 2024 | 08:11 | Nga Gzim Mujaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeinspektori i Inspektoratit të Punës (IP), Hekuran Nikçi, në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se gjatë viti 2023 ka pasur një rënie të numrit të vdekjeve të punëtorëve në vendin e punës, kjo si rezultat i inspektimeve të shumta dhe gjobave të shqiptuara ndaj subjekteve që nuk kanë respektuar ligjet e punës.

Ai tha se gjatë viti 2023 në vendin e punës kanë vdekur 11 punëtorë, ndërsa shtoi se gjatë viti të kaluar janë realizuar mbi 8 mijë inspektime e janë shqiptuar mbi 1 mijë gjoba.

Ai ka thënë se sfidë për IP-në mbetet rekrutimi i inspektoreve të punës, por sipas tij, pavarësisht sfidave gjatë viti të kaluar kanë arritur t’i rekrutojnë 38 inspektorë të rinj duke rritur numrin në 60 inspektorë.

Nikçi ka thënë se IP-ja ka paraparë që për vitin 2024 t’i rekrutojë edhe 60 inspektorë të rinj, që numri total të rritet në 120.

“Gjatë viti 2023 IP ka qenë në shumë procese në kemi ndërmarr procesin e rritjes së numrit të inspektoreve të punës, u cili ka qen një proces me shumë sfida. Pavarësisht sfidave ne kemi arritur që vitin e kaluar ti rekrutojmë 38 inspektor të rinj të punës dhe numrin e përgjithshme të inspektoreve të punës ta rrisim në 60. Me këtë numër ne kemi arritur që prezencën ton në biznese ta rritim dukshëm dhe rrjedhimisht ta rritim edhe numrin e inspektimeve në përgjithësi me qëllimin e mbikëqyrje sa më efikase te të drejtave të punëtoreve. IP për vitin 2024 ka paraparë që këtë numër 60 të inspektoreve të punës ta rris më tutje. Për vitin 2024 parashohim që t’i rekrutojmë edhe 60 inspektor të rinj të punës që numrin total ta ngrisim në 120 inspektorë të punës”, tha ai.

Nikçi tha se gjatë viti 2023 janë realizuar  8114 inspektime, pre tyre janë trajtuar 1359 ankesa dhe janë shqiptuar 1053 gjoba për subjekte që kanë cenuar Ligjin e Punës dhe Ligjin për siguri dhe shëndet në punë.

“Përgjatë viti 2023 IP ka realizuar 8114 inspektime, pre tyre kemi trajtuar 1359 ankesa dhe kemi shqiptuar 1053 gjoba për subjekte që kanë cenuar ligjet që ne i mbikëqyrim, si Ligjin e punës dhe Ligjin për siguri dhe shëndet në punë”, është shprehur ai.

Kryeinspektori theksoi se sektori më problematik për shkeljen e të drejtave të punëtoreve mbete sektori i ndërtimtarisë, për të cilin tha se janë shqiptuar më së shumti gjoba.

“Subjektet të cila inspektoret kanë shqiptuar gjoba më së shumti janë subjekte në sektorin e ndërtimtarisë. Sektori i ndërtimtarisë ende mbetet problem për shkeljen e te drejtave të punëtoreve nga siguria dhe shëndeti në punë dhe rrjedhimisht inspektimet janë realizuar edhe në sektorin e ndërtimtarisë në fokus. Gjobat që më së shumti janë shqiptuar kanë qenë në sektorin e ndërtimtarisë”, ka thënë ai.

Nikçi ka thënë se si pasoj e kushteve të punës në vitin 2023 kanë qenë 11 vdekje të punëtoreve, ku sipas tij, ky numër ka rënë duke krahasuar me vitin 2022 që kanë qenë 15 vdekje.

“Si pasoj e kushteve të punës në vendet e punës, në vitin 2023 kemi pasur 11 vdekje, krahasuar me vitin 2022 që kemi pasur 15 vdekje. Kemi një rënie të vdekjeve ne vendin e punës si pasojë e kushteve të punës dhe kjo si rezultat i rritjes së numrit të inspektimeve dhe  rritjes së numrit të ndëshkimeve, pra gjobave që u janë shqiptuar subjekteve që kanë cenuar Ligjin për siguri dhe shëndet në punë”, tha ai.

Të ngjashme