Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka rritur kapacitetin e testimeve për koronavirus. gjatë ditëve të fundit, është raportuar se janë testuar mbi 1 mijë mostra.
Java që po lëmë pas ka shënuar rritje të numrit të testimit të mostrave për koronavirus.
Gjatë kësaj jave, në raportimet ditore të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, janë raportuar mbi një mijë testime për COVID-19.
Ndërkohë, numri total i mostrave të testuara nga 13 marsi e deri më tani, ka shkuar në 86 mijë e 98.
Nga këto mostra, 17 mijë e 757 kanë rezultuar pozitive, janë shëruar 15 mijë e 34 persona, kanë vdekur 621 persona, ndërkaq po përballen me virusin edhe 2 mijë e 62 të tjerë.
Se numri i testimeve është rritur, e ka konfirmuar edhe ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj.
Ai të enjten në një postim në Facebook njoftoi se brenda 24 orëve është shënuar numri më i lartë i testimeve, me gjithsej 1 mijë e 245 mostra të testuara.