Është rritur në 69 numri i viktimave që kanë humbur jetën si pasojë e shpërthimit të municionit që po mbahej fshehur nga rebelët Sirianë në një ndërtesë banimi.
Sipas një vëzhguesi sirian për të drejtat e njeriut, në mesin e viktimave janë të përfshirë edhe 17 fëmijë, shkruan Euronews.
Shpërthimi ndodhi në qytetin Sarmada, i cili ndodhet afër kufirit turk, në veri të provincës Idlib.
Civilët sirianë ishin shpërngulur aty gjatë luftës shtatëvjeçare dhe po jetonin në ndërtesën e cila po përdorej edhe nga një tregtar i armëve.
Shkaqet e shpërthimit që e rrëzuan të gjithë ndërtesën ende nuk janë bërë të ditura për publikun.
Idlib është njëra ndër provincat e fundit që ende kontrollohet nga rebelët që e kundërshtojnë sundimin e Presidentit Bashar al-Assad.