Qendra Kosovare për Studime Gjinore, ka organizuar diskutimin me temën “Gratë në Zgjedhjet 2017″.
Në këtë diskutim u tha se në zgjedhjet e 11 qershorit është parë një rritje e pjesëmarrjes së grave në fushata zgjedhore, por ajo që mbetet shqetësuese është se gratë nuk janë përfshirë në rolin menaxhues, raporton Ekonomia Online.
Sibel Halimi, eksperte për çështje gjinore nga Qendra e Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim, ka thënë se partitë kanë filluar t’i trajtojnë çështjet e grave, por mbetet ende për t’u bërë.
“Ekziston një çështje që ja vlen të theksohet se sa ka arrit KQZ-ja ta respektojë ligjin për barazi gjinore e po ashtu sa lidershipi ka arrit të diskutojë për gratë.
Pavarësisht kësaj gratë nuk kanë arrit të jenë pjesë e debateve. Partitë politike e kanë rrit vetëdijen për çështjen e grave gjatë fushatave, por ajo që vlen të theksohet është çfarë kanë diskutuar për gratë. Gratë dhe vajzat në Kosovë sot ballafaqohen me sfida dhe probleme të shumta”, ka thënë ajo.
Yll Buleshkaj zëvendësdrejtor nga Fondacioni Ndërkombëtar për Sisteme Zgjedhore, ka thënë se rol të rëndësishëm në këtë proces kanë OJQ-të.
“Ajo që e kem vërejt ne është që përfaqësimi i grave në zgjedhje nuk ka qenë i mirë. Por pjesëmarrja e grave është vetëm pasqyrë e pjesëmarrjes së grave në politikbërje. Ne e kemi vërejt një progres në këtë por ajo që është shqetësuese është se gratë nuk janë të përfshira në rolin menaxhues”, ka thënë ai.
Jeta Xharra, drejtore ekzekutive e BIRN-it, ka thënë se çështja gjinore është obligim ligjor.
“Kërkesa për barazi gjinore ka logjikë”, ka thënë ajo.
Kurse Valon Kurhasani, drejtor i Programit për Zhvillim të Partive Politike nga Instituti Demokratik Kombëtar, ka thënë se kanë parë një progres pozitiv nga partitë karshi agjendave gjinore.
“Është e pamjaftueshme të analizohen vetëm fushatat sepse ka edhe çështje të tjera ku mund të analizohet çështja e barazisë gjinore. Fushata elektorale është hapësirë e vogël e mjaftueshme”, ka thënë ai.
Sipas tij hapësirë për gratë nuk është vetëm mbajtja afër vetes në fushata.
Por ofrimi i mundësive për të votuar në mënyrë të organizuar.