Rritet presioni amerikan, senatorët urojnë për marrëveshjen, kërkojnë zbatimin e ankesit

Prishtinë | 01 Mar 2023 | 23:32 | Nga Ekonomia Online

Ka ardhur edhe reagimi i parë i senatorëve demokrat dhe republikan i Kongresit amerikan lidhur me pranimin e planit evropian nga Kosova e Serbia.

Në një komunikatë të përbashkët, Senatorët amerikanë Jeanne Shaheen (D-NH) dhe Pete Ricketts (R-NE) – Kryetar dhe Anëtar i Nënkomitetit të Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit për Evropën dhe Bashkëpunimin Rajonal të Sigurisë – lëshuan një deklaratë të përbashkët me senatorët amerikanë Thom Tillis (R-NC), Chris Murphy (D-CT), Ron Johnson (R-WI) dhe Chris Van Hollen (D-MD) pasi udhëheqësit e Serbisë dhe Kosovës njoftuan një marrëveshje të përkohshme për normalizimin e marrëdhënieve dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, raporton Gazeta 10.

“Ne i përgëzojmë qeveritë e Serbisë dhe Kosovës për arritjen e një marrëveshjeje të përkohshme për normalizimin e marrëdhënieve. Ky është një moment i rëndësishëm për të dy vendet. Ky përparim mund të zhbllokojë mundësi të rëndësishme për Kosovën dhe Serbinë, të cilat përfshijnë procesin anëtarësimit në BE dhe rritjen e integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor dhe në mbarë botën”, thanë Senatorët.

“Sidoqoftë, të dy liderët tani duhet të bashkohen dhe të arrijnë një marrëveshje për zbatimin e aneks marrëveshjes, i cili do të sigurojë një udhërrëfyes për normalizimin midis dy vendeve. Marrëveshja dhe aneksi i zbatimit kanë implikime të rëndësishme për rajonin më të gjerë – Ballkanin Perëndimor – ku ne e dimë se Putini po kërkon të minojë unitetin transatlantik dhe të zgjerojë ndikimin rus. Demokratët dhe republikanët në Senat janë të përkushtuar që të punojnë me qeveritë e Kosovës dhe Serbisë ndërsa finalizojnë aneksin e zbatimit dhe të avancojnë prioritetet që do të sjellin paqe, stabilitet dhe prosperitet në rajon” përfundon komunikata e tyre.

Shaheen, Tillis dhe Murphy vizituan Kosovën dhe Serbinë në prill si pjesë e një vizite të delegacionit të Kongresit në Ballkan, e cila përfshinte edhe një ndalesë në Bosnje dhe Hercegovinë.

Të ngjashme