Rritja e çmimit të miellit në tregjet ndërkombëtare, por edhe e energjisë elektrike pritet të reflektohen në çmimin e bukës në vend.
Rritjen e vazhdueshme të çmimeve në këtë kohë po e konsiderojnë të papërballueshme qytetarët.
Madje Binak Gashi i ka thënë Ekonomia Online se një pjesë e qytetarëve do të mbesin edhe pa bukë.
“Për ekonominë tonë dhe pagat që i kem në Kosovë çmimi u bukës 50 cent me të vërtetë është shumë shtrenjtë. Nëse rritet çmimi ende një pjesë do të hjekin edhe për bukë që janë në kushte të vështira dhe tokat tona janë djerrinë nuk i kanë punuar për arsye që ka mungesë të subvencioneve dhe kushteve shumë të vështira nuk kanë mundur me i mbjell tokat, dhe do të jetë situatë shumë e vështirë”.
Ndërsa Mehmet Duqi ka thënë se çdo rritje e çmimeve më shumti e godet shtresën e ultë të qytetarëve.
Madje ai ka shtuar se shtresa më e goditur do të jenë edhe pensionistët të cilët marrin pagë prej 100 eurosh.
“Çmimi i bukës ende është i pranueshëm për qytetarët, por dashtë e pa dashtë pritet jo vetëm që shtrenjtimi i energjisë elektrike, kjo ngre të gjitha çmimet e artikujve ushqimorë. Elementi tjetër është edhe lufta në Ukrainë duke u nisur nga ajo që Ukraina është një furnizues i madh për botë në çështjen e drithërave”.
“Prandaj çdo ngritje e çmimit e godet sidomos shtresën me të ultë. Shtresa më e goditur do të jenë pensionerët të cilët marrin një pagë 100 euro e cila mund të them se është një pagë që pas gjërat elementare nuk i mbulon e lëre ma këto”.
Kurse Bajram Kastrati ka theksuar se çmimi aktual është i papërballueshëm e lëre më të rritet edhe më shumë.
“Një bukë kushton 40 cent dhe është shumë e shtrenjtë 300 gram bukë. Kjo është anomali. Edhe ky çmim është i papërballueshëm e lëre ma nëse rritet. Maqedonia që është shteti më i varfër se ne ua ka bërë 300 euro pensionin, dhe pensionin më të ulët 100 euro që e kanë pas, është bërë 300 euro. 350 rroga minimale. Jo shtrenjtë por i ka kaluar kufijtë. Nuk është fjala vetëm tek buka sepse për bukë nuk vdes askush”.
Ajshe Jahaj e ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti se ka premtuar mirëqenie për qytetarët, por po ndodh e kundërta, raporton EO.
“Çmimet janë shtrenjtuar, është shtrenjtuar rryma dhe janë shtrenjtimit bazë. Udhëheqsia jonë është shumë pak ty shikuar në standardin e njerëzimit”.
“Më herët ka thënë Albin Kurti mirëqenien duhet me përcjellë. Kjo nuk është mirëqenie por mirë vuajtje. Është duke shkuar puna mbrapsht me shumë gjëra, por nuk e di se kur mbushen mend dhe kur ka me qenë më mirë”, tha ajo.
Por Haxhi Buleshi po konsideron se nuk ka vend për panik dhe se ka rezerva shtetërore.
“Ne kemi rezerva por po bëjmë pak panik. Rezervat janë për tre muaj dhe brenda një muaji ose dy ndryshon situata. Unë i pash edhe në Istog ty ble. Shpresoj që s do të ketë ngritje të çmimeve”.