Rritja e çmimeve në barnatore, reagon Shoqata Farmaceutike

Prishtinë | 12 Mar 2020 | 17:26 | Nga Ekonomia Online

Pas raportimeve për rritje të çmimeve në barnatore, ka reaguar edhe Shoqata Farmaceutike e Kosovës. Nga kjo shoqatë kanë deklaruar se deri te rritja e çmimeve ka ardhur si rezultat i rritjes së çmimit të lëndës së parë në vendet e tjera, për shkak të gjendjes së krijuar.

Përmes një komunikate drejtuar mediave, Shoqata e Farmaceutike ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës t’i trajtoj farmacistët si partnerë të rëndësishëm në përpjekjen globale për parandalimin e epidemisë së COVID-19.

“Me këtë rast edhe çmimet e produkteve farmaceutike ndryshojnë në varësi të çmimit të furnizimit momental. Përgjegjësitë dhe obligimet e farmacistëve në veçanti gjatë kësaj periudhe janë: Furnizimi i mjaftueshëm me pajisje mjekësore (maska, dorëza, mjete të tjera dezinfektuese) Informimi i drejtë dhe edukimi i qytetarëve mbi masat e parandalimit të përhapjes së infeksionit Konsultimet dhe referimet te mjeku kur është e nevojshme”, thuhet në komunikatë.

Komunikata e plotë:

Shoqata Farmaceutike e Kosovës është duke e përcjell nga afër dhe me vëmendje gjendjen e krijuar pas paraqitjes së virusit COVID-19. Duke qenë se farmacistët komunitarë dhe ata spitalor janë pika e parë e kontaktit si shërbim i parë shëndetësor, roli i tyre është shumë i rëndësishëm dhe i pazëvendësueshëm në parandalimin e përhapjes së epidemisë së virusit COVID-19.

Në pothuajse të gjitha barnatoret e Republikës së Kosovës, farmacistët janë duke u munduar të kryejnë më përgjegjësi punën e tyre për furnizimin e vazhdueshëm me pajisje dhe produkte farmaceutike shumë të nevojshme për qytetarët në këto momente të vështira.

Shqetësimet që i kemi marr lidhur me rritjen e çmimeve, janë kryesisht rezultat i rritjes së çmimeve nga ana e distributorëve drejt barnatoreve e që rezulton me rritjen e çmimit përfundimtar drejt qytetarëve.

Kjo gjithashtu është edhe rezultat i rritjes së çmimit të lëndës së parë në vende të ndryshme të Botës, për shkak të gjendjes së krijuar. Kërkesa në rritje për këto produkte, shtynë në furnizimin e barnatoreve disa herë mbrenda ditës.

Me këtë rast edhe çmimet e produkteve farmaceutike ndryshojnë në varësi të çmimit të furnizimit momental. Përgjegjësitë dhe obligimet e farmacistëve në veçanti gjatë kësaj periudhe janë: Furnizimi i mjaftueshëm me pajisje mjekësore (maska, dorëza, mjete të tjera dezinfektuese) Informimi i drejtë dhe edukimi i qytetarëve mbi masat e parandalimit të përhapjes së infeksionit Konsultimet dhe referimet te mjeku kur është e nevojshme.

Farmacistët vazhdojnë të jenë në shërbim të qytetarëve dhe Shoqata Farmaceutike e Kosovës e vlerëson lartë punën e palodhshme e të pakursyer të tyre në ofrimin e shërbimeve shëndetësore. Shoqata kërkon nga Qeveria e Kosovës t’i trajtoj farmacistët si partnerë të rëndësishëm në përpjekjen globale për parandalimin e epidemisë së COVID-19.

Të ngjashme