Rritja e kapaciteteve të mbrojtjes, Shqipëria në bisedime me Pentagonin për kredi të buta

Prishtinë | 15 Nën 2024 | 08:42 | Nga Ekonomia Online

Shqipëria është në bisedime me Pentagonin që të përfitojë nga kreditë e buta që jepen nga SHBA për rritjen e kapaciteteve të mbrojtjes.

Lajmin e bëri të ditur ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu gjatë një interviste në Scan TV, ndërsa foli për projektbuxhetin 2025 për mbrojtjen.

Vengu u shpreh se mbrojtja kundërajrore është një hap domethënëses që duhet ndërmarrë, por është e kushtueshme.

“Ndaj edhe risia e buxhetit parashikon mundësinë që ne të marrim edhe financime të huaja. Ka disa instrumente tepër interesante kryesisht nga partnerët tanë, si SHBA. Jemi në bisedime me Pentagonin që të përfitojmë edhe ne nga mundësitë e kredive të buta që jepen nga SHBA për rritjen e kapaciteteve tona për fuqi zjarri dhe sisteme mbrojtje, pra dhe investime të mirëfillta”, tha Vengu.

Sipas tij, bëhet fjalë për instrumente interesantë nga pikëpamja e lehtësisë financiare, pasi janë kredi të buta. “Disa vende aleate si Polonia dhe Rumania kanë përfituar nga këto instrumente dhe besoj se edhe ne do të përfitojmë”, tha Vengu.

Duke u ndalur te buxheti 2025, Ministri solli në vëmendje rritjen e konsiderueshme të pagave për ushtarakët.

“Me rritjen e fundit që hyn në fuqi në janar 2025 ne jemi në krye të tabelës së pagave në rajon dhe lëmë pas shumicën e vendeve të rajonit. Ne nuk do të mjaftohemi këtu, pasi përmes investimeve në industrinë ushtarake ne duam të kemi kapacitete t’i rrisim edhe më tej”, tha Vengu.

Po ashtu, ai theksoi se synohet ndërtimi i kapaciteteve në mbrojtje kibernetike me paga të barazvlefshme me sektorin privat.

“Mbi 50% e buxhetit është e dedikuar te forcat e luftimit, pra rritje e kapaciteteve të FA-së me pajisje, sisteme e mjete. Do të investojmë në mbrojtje kunëdërajrore. Janë investime domethënëse, të kushtueshme që bëhen për herë të parë, ndaj cilësia e personelit duhet të jetë në lartësinë që kërkon teknologjia e sotme. Elementi i dytë ka të bëjë me rritjen e kapaciteteve në flotën detare, pra të kemi edhe kapacitete luftarake”, tha Vengu.

Ministri theksoi se synohet që falë ligjit të ri për industrinë ushtarake, jo vetëm të ngremë industrinë detare, por edhe të ndërtojmë për eksport.

Të ngjashme