Rritja e Kosovës mbetet e lartë nderisa konkurrenca ende sfidë, thuhet në programin e ri të reformës ekonomike

Prishtinë | 20 Maj 2019 | 13:20 | Nga Ekonomia Online

Krahasuar me rajonin, normat e rritjes së Kosovës mbetën të larta në 2018, të mbështetura nga investimet publike dhe konsumi privat, thotë Programi i fundit i Reformës Ekonomike të Kosovës (ERP). Në të njëjtën kohë, pengesat strukturore ndaj rritjes ende paraqesin sfidë.

ERP u diskutua të premten nga përfaqësuesit e shteteve anëtare të BE-së, Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë, Komisionit Evropian dhe Bankës Qendrore Evropiane, si dhe përfaqësuesit e bankave qendrore të Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë në takimin e tyre vjetor të dialogut të politikës ekonomike në Bruksel.

Në takim u shqyrtua Programi i Reformës Ekonomike në Kosovë, duke u fokusuar në veçanti në konkurrencën, e cila mbetet temë kryesore në dialogun ekonomik BE-Kosovë. Është thelbësore që Kosova të rrisë përpjekjet e saj në luftimin e ekonomisë joformale, duke ruajtur disiplinën fiskale, duke siguruar rritje të shëndetshme të kredive, liberalizimin e plotë të tregut të energjisë dhe përmirësimin e kushteve të tregut të punës në veçanti për gratë dhe të rinjtë. Një temë e përbashkët në rajon, përfshi Kosovën, është nevoja për të adresuar korrupsionin dhe sundimin e dobët të ligjit dhe institucionet.

Nataliya Apostolova, Shefe e Zyrës së BE-së në Kosovë/Përfaqësuese e Posaçme e BE-së, nënvizoi se me ushtrimin e ERP-së, Kosova dhe Ballkani Perëndimor pasqyrojnë procesin Semestral Evropian.

“Zbatimi i masave të reformës të përshkruara në ERP do të kontribuojnë ndjeshëm në heqjen e barrierave ndaj rritjes dhe konkurrencës. Kosova është zotuar të shtojë përpjekjet në këtë drejtim, me mbështetjen e BE-së. Këto përpjekje jo vetëm që do ta afrojnë Kosovën më afër BE-së, duke ndihmuar në përmbushjen e kritereve ekonomike të Kopenhagës, por më e rëndësishmja, do të sjellin përfitime të prekshme për cilësinë e jetës së popullit të Kosovës”.

U lavdërua puna e autoriteteve, në veçanti e Ministrisë së Financave dhe Zyrës Strategjike të Kryeministrit, në adresimin e disa prej këtyre çështjeve dhe është pranuar se nevojitet më shumë punë dhe bashkëpunim më të ngushtë për të vazhduar më tej me këtë agjendë sfiduese. Këtë vit u dakorduan gjashtë masa specifike për reforma të synuara, të cilat duhet ta ndihmojnë Kosovën që të përparojë për të arritur parashikimin ambicioz të rritjes:

  1. Të përfundohet procesi i certifikimit dhe riklasifikimit të veteranëve të luftës në mënyrë që të ulën kostot e skemës pensionale për veteranët e luftës në pajtim me legjislacionin aktual. Të sigurohet, nëse është e nevojshme përmes legjislacionit dytësor në Ligjin për Pagat Publike, që buxheti i vitit 2020 të jetë në përputhje me rregullat ekzistuese fiskale, në veçanti me rregullat e ligjit të pagave. Të përmirësohet mbledhja e të ardhurave tatimore në mënyrë që parashikimet ambicioze të të ardhurave për vitin 2019 të përmbushen plotësisht.
  2. Të përmirësohet mbikëqyrja financiare dhe llogaridhënia e ndërmarrjeve publike. Të forcohen kapacitetet institucionale në nivel qendror dhe lokal të qeverisjes në planifikimin e investimeve shumëvjeçare dhe menaxhimin e projekteve të investimeve me qëllim të përmirësimit të ekzekutimit të shpenzimeve kapitale. Të përgatitet një dokument për themelimin e një organi të pavarur për mbikëqyrjen fiskale për konsultime të mëtejshme me palët e interesit, përfshi BE-në.
  3. Të vazhdohet me përmirësimin e instrumentit analitik të bankës qendrore, përfshi krijimin një studimi të pritjeve të inflacionit. Të adresohen më tej faktorët themelorë ligjorë dhe institucionalë që pengojnë qasjen në financa për NVM-të. Të monitorohet për së afërmi paraqitja e rreziqeve potenciale të stabilitetit financiar në lidhje me segmentin e kredive konsumuese, duke përdorur mjete të përshtatshme të politikave mikro dhe makro-prudenciale, nëse është e nevojshme. Vendimet në lidhje me mbajtjen e letrave me vlerë të qeverisë nga banka qendrore të bazohen mbi një politikë transparente të investimeve dhe gradualisht të ulet niveli i tyre për të shmangur shuarjen e aktivitetit të sektorit privat në tregun sekondar.
  4. Të rritën stimujt për efiçencë të energjisë për sektorin privat dhe amvisëritë; të miratohet një plan që përfshin përshtatjen graduale të tarifave të energjisë që pasqyrojnë rritjen e pritur të kostove dhe masat lehtësuese për konsumatorët e cenuar; të përmirësohen skemat mbështetëse për projektet e energjisë së ripërtëritshme me vendosjen e ofertimit/ankandeve konkurruese për mbështetjen e burimeve të ripërtëritshme.
  5. Të sigurohet zbatimi i Strategjisë së Re dhe Planit të Veprimit 2019-2023 për luftimin e ekonomisë joformale në pajtim me afatet e përcaktuara kohore, duke integruar veprimet e duhura për të trajtuar punën e padeklaruar.
  6. Të zhvillohen masa aktive për rritjen e pjesëmarrjes së grave në tregun e punës dhe punësim. Të rritet ofrimi i arsimit dhe aftësimit profesional për profesionet e kërkuara. Të rriten investimet në arsim, me fokus të veçantë në zgjerimin e arsimit të hershëm në fëmijëri.
    Bedri Hamza, Ministër i Financave dhe Koordinator i Programit për Reformën Ekonomike të Kosovës, tha: “Programi i Reformës Ekonomike është një mjet i shkëlqyeshëm që na ndihmon të përmirësojmë menaxhimin e burimeve publike në mënyrë që të tejkalojmë pengesat strukturore, duke ruajtur disiplinën fiskale. Duam të sigurohemi që buxheti i Kosovës përdoret në mënyrën më të mirë të mundshme dhe t’i afrohemi çdo vit qeverisjes ekonomike të BE-së. Mbi të gjitha, përpiqemi të zbatojmë këto reforma në mënyrë që të krijojmë një mjedis më të favorshëm afarist që mund të sjellë rritje dhe punësim për popullin e Kosovës”.
    Programi i Reformës Ekonomike është një dialog për qeverisje ekonomike midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor dhe Turqisë. ERP ka për qëllim të përgatisë rajonin për pjesëmarrje në të ardhmen në sistemin e koordinimit të politikës ekonomike të BE-së, i njohur si Semestri Evropian.
Fjalë Kryesore:

Të ngjashme