Rritja e madhe e rasteve, sot shqyrtohen masat e reja anti-COVID

Prishtinë | 20 Jan 2022 | 07:48 | Nga Ekonomia Online

Pas përkeqësimit të situatës epidemiologjike në vend, sot do të rishikohen masat anti-COVID që janë në fuqi dhe do të merret vendim nëse do të ketë masa të reja strikte apo jo.

Sot në Ministrinë e Shëndetësisë do të mblidhen Komiteti për Koordinim dhe vlerësim të situatës me COVID-19, Komisioni Këshillëdhënës dhe të gjithë hisedarët tjerë që kanë të bëjnë me menaxhimin dhe parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Aty pritet të hidhen rekomandime për të propozuar masa të reja, karshi situatës epidemiologjike, të cilat më pas pritet të miratohen nga kabineti qeveritar.

Gjatë dy javëve të fundit ka filluar të rritet numri i rasteve pozitive me koronavirus në Kosovë.

Të mërkurën në vend u regjistruan 2 mijë e 50 raste pozitive, shifër kjo më e larta që nga gushti i vitit të kaluar, kur ishin shënuar 2 mijë e 236 raste për 24 orë.

Aktualisht në vend janë 7 mijë e 266 raste aktive me koronavirus.

Drejtori i Klinikës Infektive në QKUK, Arben Vishaj, të martën në një prononcim për Express deklaroi se ndikim në rritjen e rasteve kanë pasur festat e fundvitit dhe përhapja e variantit Omicron të koronavirusit.

“Arsyeja e rritjes së numrit të rasteve pozitive është prania e variantit Omicron në rajon dhe Europë. Omicroni ka aftësi të shpërndahet. Arsye tjetër janë edhe festat e fundvitit, pasi ka pasur lëvizje më të madhe. Arsyeja tjetër është edhe vetë natyra e pandemisë. Kosova nuk mund të jetë pjesë e izoluar e rajonit dhe Europës. Çka ndodh në Europë është e mundshme të ndodh edhe në Kosovë”, ka deklaruar Vishaj.

Ndërkaq ministria e Shëndetësisë dhe Insdtituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës vazhdimisht po bëjnë thirrje për respektim të masave anti-COVID dhe vaksinim.

Të ngjashme