Vendimi i fundit i ekzekutivit për rritjen e pagës minimale në 350 euro në muaj, po konsiderohet e pamjaftueshme nga qytetarët. Disa të intervistuar nga Ekonomia Online, këtë rritje e quajnë “lëmoshë”.
Disa prej tyre thonë se kjo rritje simbolike është bërë për fushatë elektorale, ndërsa thonë se e njëjta është dashur të rritej së paku 50 për qind.
Fahredin Halimi, një nga pensionistët e sheh këtë rritje si të pamjaftueshme dhe të papërgjegjshme, duke sugjeruar që paga minimale të rritet me të paktën 50 për qind.
“Unë mendoj që pagat duhet të rriten më së shumti, paga në Kosovë është më e vogla në të gjithë Evropën, sidomos neve pensionistëve nuk na i kanë rritur aspak. Qeveria ka para nuk është që nuk kanë sepse ekonomia është e mirë, por mendoj që ndikimi ka qenë tek Qeveria sepse është shumë pak, ndoshta është edhe për zgjedhje por duhet të rritet së paku 50 për qind”, u shpreh ai.
Nga ana tjetër, Besim Islami e quan këtë rritje si “hajgare qeveritare” duke theksuar se me rritjen e ofruar, është e pamundur që të mbulohen edhe nevojat më elementare të familjeve kosovare.
“Rritja e pagave është vetëm ‘hajgare qeveritare’ asgjë më shumë, me gjashtë euro nuk mundesh asnjë fëmijë me mashtruar. Kush mban qen në Prishtinë i merr nga 50 euro dhe kush ka fëmijë merr vetëm nga 30 euro. Vetëm në Kosovë ndodhin këto çudira”, ka thënë ai.
Ndërsa Reshat Salihu e përshkruan këtë situatë si “turp” dhe “qesharake” duke thënë se rritjet e pagave janë të pamjaftueshme dhe nuk reflektojnë sakrificat që po bëjnë qytetarët e Kosovës gjatë punës së tyre.
“Kjo që ka ndodhur dje është tejet e turpshme dhe qesharake, ka punëtorë që punojnë nga 35 vjet dhe vetëm 6.80 është qesharake, fajtor kryesorë është kjo qeveri, ndoshta është e trashëguar edhe nga e kaluara, po kjo nuk është rritje dhe është një tmerr, kam pritë më shumë rritje sepse populli po punon dhe po heq shumë dhe duhet të jepet ajo që e meriton, këto nuk janë paga por janë lëmosha”.
E Sejdi Shala, këtë rritje të pagës minimale e sheh si një veprim të papërgjegjshëm ndaj funksionarëve të rëndësishëm si policia dhe mjekët, të cilët, sipas tij, meritojnë pagë më të lartë për punën dhe rrezikun që ata përballen çdo ditë.
“Kjo rritje pagave është jo serioze nga ana e Qeverisë sepse shteti si shtet mbahet me katër shtylla: policia, ushtria, shëndetësia e arsimi dhe këto shtylla nuk janë kurrkund. Me 6.80 cent një polic që është i rrezikuar çdo moment brenda 24 ore është një tmerr. Ne mes vete nuk jemi të lidhur ekzistojnë sindikatat që me e kushtëzu qeverinë që nëse brenda një jave nëse nuk e ndryshoni pagën e policisë dhe këtyre të rinjve në shtylla të tjera, uniformën e kisha hedh përtokë. Kam qenë adhurues i Kurtit por me veprimin e fundit i kam humbë shpresat total. Minimalja e një polici nuk duhet të jetë nën 800 apo 900 euro”, u shpreh ai.