Rritja e rasteve me Covid alarmon kryeministrin Hoti, thërret në takim inspektorët

Prishtinë | 14 Tet 2020 | 13:17 | Nga Ekonomia Online

Gjatë ditëve të fundit është rritur numri i të infektuarve me COVID-19 në vend. Kjo ka alarmuar edhe shefin e Qeverisë, Avdullah Hotin, i cili sot ka thirrur në takim drejtorët komunalë të Inspeksionit.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës të martën ka njoftuar se për 24 orë janë konfirmuar 98 raste të reja me koronavirus.

Shifrat e të infektuarve kanë shënuar rritje. Derisa para një jave numri i të infektuarve nuk shkonte mbi 50, tash numri i rasteve krahasuar me atë javë pothuajse është dyfishuar.

Express mëson se për shkak të rritjes së rasteve pozitive, kryeministri Hoti do të takohet sot me drejtorët komunalë të Inspeksionit.

Kjo do të bëhet për të diskutuar rreth masave anti-Covid.

“Kryeministri Hoti sot do të takohet me drejtorët komunalë të Inspeksionit për të diskutuar rreth masave anti-Covid. Ky është një mobilizim gjithëpërfshirës sepse situata ka filluar të ndryshojë, pas rritjes së numrit të të infektuarve”, kanë bërë të ditur burime të gazetës.

Ndërkohë, numri total i të infektuarve me koronavirus në vend ka shkuar në 16 mijë e 345.

649 persona kanë vdekur si pasojë e COVID-19, ndërkaq 12 mijë e 405 të tjerë janë shëruar.

Aktualisht, 1 mijë e 291 persona po përballen me koronavirusin.

Masat e deritanishme që ka marrë Qeveria e Kosovës për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë mbajtja e maskës, mbyllja e lokaleve të gastronomisë në orën 23:30, kufizimi i lëvizjes, mbyllja e kufijve tokësorë dhe ajrorë, ndalimi i tubimeve, e të tjera.

Ministria e Shëndetësisë së fundmi ka publikuar Udhëzuesin Përdorimi i maskave dhe mbulesave të fytyrës në komunitet, i cili tregon kur dhe ku duhet të vendoset maska, si masë mbrojtëse ndaj koronavirusit.

Ndërkohë, vendosja e maskës është bërë e obligueshme nga data 13 korrik e këtij viti.

Me vendim të Qeverisë, të gjithë qytetarët e Kosovës, janë të obliguar që t’i vendosin maskat mbrojtëse për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19.

Më 26 gusht ka hyrë në fuqi edhe Ligji për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19.

Në bazë të këtij Ligji, qytetarët të cilët nuk vendosin maskën dënohen me 35 euro gjobë.

Ai person që është vendosur në izolim apo karantinë dhe tenton të largohet dënohet me gjobë 500 euro dhe rikthehet në izolim.

Kushdo që hyn në zonën karantinë të Republikës së Kosovës dhe nuk izolohet apo karantinohet, siç është përcaktuar me vendim të organit kompetent, dënohet me 500 euro gjobë

Të ngjashme