Republika Çeke raportoi të mërkurën për një rekord të ri rastesh me koronavirus, brenda një dite.
Të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë treguan për 4,457 raste të reja, të regjistruara të martën.
Shifra e tejkalon rekordin e mëparshëm prej 3,794 rastesh dhe e çon në 90,022 numrin e përgjithshëm të të infektuarve qysh në muajin mars.
Shifra totale paraqet rritje për katërfish që nga 25 gushti.
Në këtë periudhë, shtrimet në spital janë dhjetëfishuar.
Numri i përgjithshëm i viktimave është 794.
Sipas Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, rritja e numrit të rasteve në Çeki është më e shpejta në Evropë.
Gjatë dy javëve të fundit, Çekia ka raportuar 326.8 raste në 100,000 banorë, duke e tejkaluar për herë të parë Spanjën, me 302.4 raste në 100,000 banorë.
Qeveria çeke, si të tjerat në Evropë, po përpiqet të frenojë rritjen e infeksioneve, që është më e madhe se në mars dhe në prill.
Nga 5 tetori, ky vend ka rikthyer gjendjen e jashtëzakonshme, duke kufizuar tubimet e njerëzve në 20 vetë jashtë dhe 10 vetë brenda, duke ndaluar pjesëmarrjen e audiencave në ngjarjet sportive, duke mbyllur shkollat e mesme dhe duke kërkuar nga studentët e mjekësisë të ndihmojnë në spitale.
Çekia ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në mars, kur edhe ka shpërthyer pandemia e koronavirusit, dhe e ka hequr atë dy muaj më vonë.