Liderët nacionalë dhe rajonalë të Gjermanisë do të takohen nëpërmjet një videokonference të hënën për të vendosur për rundin e radhës së masave për t’u përballur me pandeminë COVID-19.
Në takimin e tyre të fundit muajin e kaluar, janë pajtuar për një hapje të kujdesshme, ndonëse kancelarja gjermane Angela Merkel, paralajmëroi se variantet më ngjitëse nënkuptojnë se pandemia do të jetë e vështirë të kontrollohet.
Sipas të dhënave të Institutit Robert Koch për sëmundje infektive, numri i rasteve për 100 mijë banorë gjatë javës së fundit ka qenë në 103.9, që është mbi nivelin 100 sipas të cilit trend njësitet e kujdesit intensiv më nuk mund ta përballojnë ngarkesën.
Lodhja e qytetarëve nga masat e mbylljes, që janë tash e katër muaj në fuqi, është duke vazhduar të rritet, por krerët e shteteve gjermane mund të jenë të detyruar të heqin dorë nga hapja e disa shitoreve.
Të dielën në Gjermani janë regjistruar 13.733 raste pozitive me koronavirus, duke arritur shifrën totale në 2.659.516. Është raportuar për 99 të vdekur në 24 orët e fundit, ndërsa që nga fillimi i pandemisë numri i të vdekurve nga COVID-19 në Gjermani ka arritur në 74.664.