Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Indeksin e Çmimeve të Inputeve në Bujqësi“ për tremujorin e katërt (TM4 2018).
Ky publikim është i bazuar në çmimet e inputeve bujqësore të grumbulluara në Kosovë. Grumbullimi i çmimeve është kryer në barnatoret bujqësore, farmacitë veterinare, në kompani, në tregje dhe në vende të tjera, ku çmimet e inputeve bujqësore janë në dispozicion. Disa çmime të inputeve bujqësore janë marrë nga çmimet e konsumit (IHÇK) në ASK.
Prodhimet që krijojnë bazë për Indeksin e Çmimit të Inputeve janë të ndara në dy grupe kryesore: Mallrat dhe shërbimet aktualisht të konsumuara në bujqësi (Input 1) dhe Mallrat dhe shërbimet që kontribuojnë në investimet në bujqësi (Input 2). Brenda grupit të Mallrave dhe shërbimeve aktualisht të konsumuara në bujqësi, çmimet grumbullohen sipas grupeve në vijim: farëra dhe material mbëltues, energji, vajra, plehra dhe përmirësues të tokës, produkte për mbrojtjen e bimëve dhe pesticide, shpenzime për veterinari, lëndë për ushqimin e kafshëve, mirëmbajtja e materialeve, mirëmbajtja e ndërtesave, si dhe mallra dhe shërbime të tjera. Sa i përket mallrave dhe shërbimeve që kontribuojnë në investimet bujqësore, çmimet grumbullohen për materiale (makineri dhe pajisje të tjera), ndërtesat dhe të tjera (ndërtesat jo-rezidente të fermës, punët të tjera, përveç përmirësimit të tokës).
Në tremujorin e katërt të vitit 2018, indeksi i Input 1 ka rënie për (-0.2%), krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2017. Kurse, indeksi i Input 2 ka rritje për 1.7%.
Ndërkaq, Indeksi i përgjithshëm i inputeve (Input I+Input II) ka rritje për 0.7%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2017.