Darka e fundvitit, më 29 dhjetor të vitit të kaluar, solli një lajm të mirë për punëtorët e kompanisë “Elsa Group” në Pejë: gjatë vitit 2024 atyre do t’iu paguhet edhe sigurimi shëndetësor – benefit që nuk e gëzojnë punëtorët në institucione publike.
Këtë vendim e kishte marrë pronari i kompanisë, Brahim Selimaj, gjatë tentimit që t’i bindë punëtorët të mos e lënë punën në kompaninë e tij për të kërkuar mundësi të tjera nëpër vendet e Bashkimit Evropian (BE).
Rreth 100 punëtorët e “Elsa Group” – që merren me përpunim të pllakave të granitit dhe mermerit – marrin paga nga 500 deri në 1.000 euro. Selimaj tregon se kompania ka nevojë edhe për dhjetëra punëtorë të tjerë.
Por, si shumë biznese të tjera, edhe kompania e Selimajt është përballur me mungesë punëtorësh që nga viti i kaluar. Liberalizimi i vizave për Kosovën që nga 1 janari i këtij viti është përcjellë me shqetësime se kriza me mungesë punëtorësh do të përkeqësohet.
Udhëtimet pa viza në zonën Schengen duhet të shërbejnë kryesisht për vizita turistike apo familjare dhe jo për qëllime punësimi. Mirëpo, një raport i Institutit Riinvest, i publikuar në nëntor të vitit të kaluar, thotë se rreth 18 për qind e punonjësve tashmë i kanë informuar kompanitë se do të emigrojnë pas liberalizimit të vizave. Por, në të njëjtin raport thuhet se, sipas vlerësimit të kompanive, rreth 33 për qind e punëtorëve do ta lëshojnë Kosovën.
Udhëtarët në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” më 1 janar, në ditën kur hyri në fuqi vendimi për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Arian Vranica, nga Shoqata e Gastronomëve të Kosovës, thotë se deri në muajin prill do të ketë një krizë për punëtorë, por shton se disa biznese i kanë rritur pagat, e të tjera e kanë ndryshuar mënyrën e funksionimit, si për shembull vetëshërbim në kafiteri, për ta ulur nevojën për punëtorë.
Gastronomia dhe ndërtimtaria janë sektorët ku më së shumti ka kërkesa për punëtorë. Sipas kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, bizneset kanë filluar të gjejnë mënyrë për përmirësimin e kushteve të punës: duke ofruar rritje page e bonuse.
Edhe në raportin e vitit të kaluar të Institutit Riinvest thuhet se 79 për qind e bizneseve i kanë rritur pagat për mbi 22 për qind. Mbi një e treta e bizneseve raportojnë se do të vazhdojnë t’i rrisin pagat, përderisa 24 për qind planifikojnë t’i përmirësojnë në mënyra të tjera kushtet e punës.
Mbi 20 për qind e bizneseve në sektorin privat, planifikojnë të punësojnë gra dhe mbi 10 për qind planifikojnë të investojnë në teknologji të reja, që synojnë automatizimin e proceseve të punës.
Ikja e punëtorëve nga Kosova mund të rrisë pagat
Edhe pse Rafuna thotë se nuk ka pasur ankesë të theksuar nga kompanitë private për largim të punëtorëve menjëherë pas liberalizimit të vizave, pronari i kompanisë “Eurofamis” në Suharekë, Ilir Bytyçi, ka dëgjuar zëra që disa nga 30 punëtorët e tij do të largohen.
Megjithatë, Bytyçi sqaron se punëtorët nuk e kanë njoftuar zyrtarisht se do ta lëshojnë punën dhe ai shpreson që do të arrijë t’i mbajë punëtorët duke i përmirësuar kushtet e punës.
“Ne kemi reaguar te pagat, kemi qenë më serioz, më të përgjegjshëm. Ushqimin e kanë shumë të mirë, kafe [pinë] dy- tre herë në ditë, pije të freskëta gjatë orarit të punës. Kushtet i kanë shumë të mira. As në Gjermani nuk e kanë më mirë”, thotë ai.
Rafuna, nga Oda Ekonomike e Kosovës, tregon se disa punëtorë nëpër kompani private tashmë kanë kërkuar leje të shkojnë për një periudhë në vendet e BE-së, por mos ta humbin vendin e punës.
Trendit të mungesës së punëtorëve i frikësohet edhe Jahir Morina, pronar i kompanisë “Princesha” në Prishtinë, i cili beson se situata do të përkeqësohet gjatë muajve të ardhshëm.
Disa biznese në Prishtinë, kanë të vendosura shpallje nëpërmjet së cilave kërkojnë punëtorë.
Kushtet e këqija apo emigrimi, çfarë po i lë bizneset pa punëtorë?
Të gjithë punëtorët e tij, thotë ai, janë në pushim deri më 15 janar. Disa nga ta kanë njoftuar se kanë shkuar për vizita te familjarët në vendet evropiane, pas liberalizimit të vizave. Morina nuk ka shumë shpresa se punëtorët do t’i kthehen të gjithë në datën e fillimit të punës.
“Sipas të gjitha gjasave ata nuk kthehen”, tha ai, duke treguar se është duke bërë përpjekje për t’i ndryshuar kushtet punës.
“Në radhë të parë, do të nisim zëvendësimin e tyre. Më pas zgjatjen e afatit të kontratës dhe t’i barazojmë pagat me shtetet e rajonit dhe Evropës. Besoj se nëse paga bazë do të ishte 1.200 euro, nuk do ta kishim problemin e lëvizjes [pa viza] dhe ikjes. Kurse, si alternativë për zëvendësim [të punëtorëve] jam në përpjekje të sigurimit të punëtorëve nga shteti i Turqisë”, tha ai.
Paga mesatare në Kosovë është 520 euro, ndërsa në Gjermani – vendin ku më së shumti kosovarë kanë emigruar në vitet e fundit – ishte 4.105 euro, sipas shifrave zyrtare të publikuara në prill të vitit të kaluar.
Një nga punëtorët që ka vendosur ta lërë punën e tij në Kosovë menjëherë pas liberalizimit të vizave është edhe Jetmiri. Pas 11 vjetësh punë në sektorin e gastronomisë, ai dha dorëheqje dhe pret që, brenda pak ditëve, ta rezervojë një biletë udhëtimi për në Slloveni.
Aty thotë se i ka familjarët, por edhe një punë të siguruar në sektorin e gastronomisë.
“Motra dhe dhëndri punojnë në një restorant dhe ata ma kanë siguruar punën. Perspektivë më të qëndrueshme shoh atje, këtu rrogën e kam pasur mbi 600 euro. [Ishte] e pamjaftueshme. Si të ambientohem dhe rehatohem, këtu [në Kosovë] nuk kthehem më hiç. Banesën e kam të siguruar, qira nuk kam për të paguar”, thotë ai.
Për ta luftuar trendin e ikjes së punëtorëve nga Kosova, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, thotë se Qeveria e Kosovës duhet ta përgatisë urgjentisht një plan për parandalimin e migrimit të të rinjve.
“T’i motivojë ata të rinj dhe të reja të fillojnë biznese, [duke nisur] prej një biznesi fillestar, biznes familjar dhe pse mos të zhvillohet biznes i madh në Kosovë, pasi rinia ka qenë gjithmonë një aset me të cilin Kosova gjithmonë është krenuar”, konsideron Rafuna.
Sipas të dhënave, më 2021 nga Kosova janë larguar 42.000 banorë.
BE përfiton falas nga “truri i Kosovës”
Radio Evropa e Lirë e ka pyetur Zyrën e kryeministrit të Kosovës se a ka ndonjë plan për parandalimin e largimit të të rinjve, por deri në publikimin e tekstit nuk ka marrë ndonjë përgjigje.
Sektori privat llogaritet punëdhënësi më i madh në Kosovë, me rreth 300 mijë të punësuar. Paga mesatare në këtë sektor, sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në vitin 2022 ka qenë 473 euro.