Imagjinojeni me pas rritje ekonomike e askush nuk e përjeton atë, përveç atëherë kur Qeveria dhe Partia e postojnë në Facebook.
Cilido, qoftë vetë Kurti, ndonjë vasal i tij nga karrigia e ministrit; Dejona apo një marionetë e sajë në kostum të deputetit e deputetes; ndonjë sekretar i përgjithshëm partiak për shtrembërime; anëtar, aktivist apo militant, nëse mundet me shpjegu ku po i gjejnë këto numrat për rritjen ekonomike në Kosovë, me të cilat po mundohen të na e dëshmojnë edhe ngritjen e mirëqenies së përgjithshme, mirë kishin bë. Jo që mundet njeri me i besue shpjegimeve të tyre, por veç sa për me pa aftësinë e tyre për m’u nxjerrë nga…
Përveç mangësisë së Kurtit dhe entourazhës së tij – për hir të shtrembërimit, kuptohet – me bë dallime në mes të rritjes nominale dhe asaj reale, këta po punojnë me numra e prognoza që po i’a kalojnë ndër të tjera edhe Bankës Botërore. Tash njëmend, me shefin e CIA-së Kurti ka fol për ekonomi, por s’po besoj që Burns i’a ka dhanë një USB Kurtit me të dhëna sekrete për Bruto Produktin Vendor të Kosovës.
Sipas VV-së, krahasuar me vitin 2022, sot BPV është për 1/3 më i lartë. Më fjalë të tjera është rritur për rreth 33.3%. Meqë në vitin 2022 BPV ishte 9,35 miliardë USD, duke e konsideruar rritjen që po proklamohet, vlera sot do duhej të ishte rreth 12,46 miliardë USD. Magjia fillon këtu!
Bruto Produkti Vendor i vitit 2023 është 10,44 miliardë USD. Sipas prognozave për vitin 2024 BPV i Kosovës mund të mbërrijë nga 10,88 deri në 11,3 miliardë USD. Pra në rastin me të mirë një diferencë prej rreth -1,1 miliardë USD nga vlera e proklamuar e VV-së, në rastin më të keq më shumë se -1,5 miliardë USD. Në cilindo rast, informatat e pushtetit po na vlejnë mbi 1 miliardë. I kemi apo nuk i kemi, kjo është çështja!
Çështja tjetër është ajo e inflacionit dhe ndikimit të tij edhe në vlerën e Bruto Produktit Vendor nominal. Nëse çmimet e produkteve dhe shërbimeve rritën për 50%, edhe BPV nominale rritet për aq, nëse prodhimi e shërbimet mbetën njëjtë. Prandaj Bruto Produkti Vendor real llogaritet me çmime konstante nga viti bazë, e në rastin tonë nga viti 2015. Kështu filtrohet ndikimi i inflacionit në fryrjen e BPV-së dhe rritja apo rënia bëhen më të qarta.
Në vitin 2022 BPV real ishte 8,25 miliardë USD. Në vitin 2023 8,53 miliardë USD. Pra një rritje prej 3,4%. Po bëhemi dorëlirë dhe edhe pse prognozat thonë ndryshe, ne po llogaritim me rritje prej 5% nga viti 2023 në vitin 2024, BPV reale do të ishte rreth 8,95 miliardë USD.
Rrjedhimisht e realisht Bruto Produkti Vendor nuk është për 1/3 më i lartë krahasuar me vitin 2022, sepse një pjesë e rritjes i atribuohet inflacionit. Bruto Produkti Vendor real nga krahasuar me vitin 2022 është vetëm për rreth 8,5% më i lartë. Krahasuar me periudha të tjera 2 vjeçare nga viti 2008 e deri sot, ky nivel i rritjes është thuajse rregulli e jo përjashtimi.
Mjaftueshëm hapësirë po shfrytëzoni duke e luajtur të paditurin në lidhje me nominalen dhe realen. Dikush, aty-këtu e bën nga padituria, por jo nivelet komanduese nga të cilit rrjedhin këto lojë numrash. Nuk po ju mjafton kjo dhe po përpëliteni për të futur logjikë përllogaritjeje bixhozxhinjsh në funksion, për të hutuar nga dështimet me pritje për fitim e për rritje.
Njëjtë si për rritjen e Bruto Produktit Vendor, ashtu edhe për kinse rritjen e punësimeve për 20%, shifra të bukura në letër e postime, por i përkasin dikasterit të fantazisë e nuk kanë të bëjnë asgjë me realitetin. Me fryrjen e numrave dita-ditës qeveria po i ngjanë më shumë një cirku plot palaço që fryjnë balona.
Rritja e punësimeve nuk është thjesht dhe nuk janë tërësisht punësime të reja. Më shumë mund dhe duhet të flasim për formalizimin e marrëdhënieve të punës. Përderisa njerëzit punonin pa kontrata, formalisht ishin pa punë, sot, me politika veçanërisht për këtë çështje, nuk ua keni rritë njerëzve mirëqenien, por i keni zhvendosur thjesht nga tabela e të papunësuarve në tabelën e të punësuarve. Rezultati? Zero! Sepse kontrata nuk po i mbron punëtorët nga turbulencat ekonomike dhe disponimet e sektorit privat, nga oraret e stërzgjatura dhe kushte mesjetare të punës, siç i pandehte vetë Kurti në fushatë. Por, me rëndësi ju me i pas gati shifrat e bukura në tabelat tuaja për fushatën që ka nisë.
Rritje e punësime ka, por veç në postimet e Qeverisë e Partisë së Kurtit. Jashtë rrjeteve sociale e tubimeve elektorale asgjë nuk ka ndryshuar, përveç sanksioneve e acarimeve me aleatë. Madje, edhe Ura e Ibrit është ashtu siç ishte, e mbyllur!
Imagjinojeni çfarë ndryshimi për një mandat!