Kosova ka kapacitete të mjaftueshme logjistike në aspektin e sigurisë. Mirëpo njohës të çështjeve të sigurisë vlerësojnë se sfidë mbetet rrjedhja e informacioneve të klasifikuara,zyrtare që mund ta rrezikojnë sigurinë në vend.
Sa i përket Agjencisë së Kosovës të Forenzikës ata thonë se ky laborator ka kushtet të mira e staf profesional.
Ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme Valdet Hoxha,në një intervistë për Ekonomia Online tha se kapacitetet në aspektin logjistik të institucioneve shtetërore, duhet mirëmbajtur.
Hoxha tha se rrjedhja e mundshme e informacioneve është vepër penale dhe dënohet deri në 10 vjet burg.
“Konsideroj që Kosova tashmë e ka përmbush këtë kriter dhe besoj ka kapacitete të kënaqshme, por natyrisht këto kapacitete duhet rindërtuar, duhet mirëmbajtur dhe duhet freskuar me kuadro të reja, qoftë të specializuara jashtë shtetit apo brenda tij”.
“Natyrisht në parim mund të ketë rrjedhje të informacionit prandaj është edhe sanksionuar në Kodin Penal si vepër penale. Në rast të vërtetimit se ekziston një rrjedhje e informacionit, sidomos të informacioneve të klasifikuar të cilat mund të rrezikojnë qoftë t’i shkelin të drejtat e njeriut apo ta rrezikoj sigurinë kombëtare, ka një dënim që është relativisht i rëndë dhe mund të shkoj deri në 10 vite burg”.
Ish-zv.ministri i Punëve të Brendshme tha se edhe punësimi i militantëve mund të ndikojë në rrjedhjen e informacioneve edhe të paqëllimshme, por që mund të ketë dëme të mëdha.
Tutje ai tha se është sfidë që të sigurohemi që zyrtarët shtetëror të mos shpërndajnë informata, çfarë do qofshin ato.
“Shtet ndërtimi ka filluar mirë, po vazhdon mirë por gjithmonë është një sfidë tek ndërrimi i pushteteve të cilët tentojnë ta shtrijnë dorën tek zyrtarët, ndoshta pa një qëllim të keq. Mund të jetë edhe arsyeja e punësimit e të punësuarve e militantëve të tyre, por që nga ajo kompetencë më vonë mund të ketë edhe rrjedhje të informacionit të cilat mund të bëhen pa dashje, por që dëmi mund të jetë i madh”.
“Rrjedhja e informacioneve zyrtare sidomos atyre konvencionale mund të rrezikoj sigurinë në vend. Është sfidë që ne të sigurohemi që zyrtarët e shtetit tonë të mos nxjerrin informata, qoftë të klasifikuara apo zyrtare”.
Përderisa njohësi i çështjeve të sigurisë, Avni Islami në një intervistë për Ekonomia Online tha se institucionet e sigurisë në vend e kryejnë punën në mënyrë profesionale.
“Me vetë faktin që institucionet e sigurisë janë duke e kryer punën ashtu siç duhet dhe se suksesi i institucioneve të sigurisë është evidente”.
“Seriozisht ka vend për lëvdata edhe pse ka vend që të punohet edhe më tepër, por duke e pasur parasysh se sa i ka kapacitetet e logjistikës mendoj që institucionet e sigurisë i plotësojnë kushtet për funksionimin normal për kryerjen e punëve të tyre edhe pse në shumë raste mund të ketë mungesë në aspektin kohorë të logjistikës”.
Sa i përket laboratorit të Forenzikës, Islami tha se është një ndër laboratorët më të mira në Ballkan.
“Laboratori i Forenzikës në Kosovë është një ndër laboratorët më të sofistikuara mundem me thënë në Ballkan, për shkak se është donacion i ShBA dhe të tjerët që kanë kontribuar. Mendoj që profesionalizmi edhe i punëtorëve të cilët punojnë në laborator, por edhe laboratori i cili është jashtëzakonisht i avancuar. E kryejnë punën e vetë dhe e kemi parë efikasitetin e pastaj të organeve të hetuesisë që identifikimi edhe zbulimi i kryerësve të veprave penale ka arrit si rezultat duke iu falënderuar forenzikës së Kosovës”.
“Nuk sigurohet siguria e vendit për shkak të një laboratori, për shkak se Forenzika në Kosovë është jashtëzakonisht e sofistikuar dhe e avancuar e sidomos duke e krahasuar me vendet e rajonit”.