Një postim viral në rrjetet sociale që thoshte se këngëtarja shqiptare Bebe Rexha ka vdekur si pasojë e mbidozës nga droga është demantuar nga vetë këngëtarja. Edhe pse në rrjete sociale u shpërnda me të madhe postimi tek adhuruesit që shprehnin ngushëllime, vetë Rexha konfirmoi në Twitter se është gjallë.
Kjo s’është hera e parë që një yll botëror ishte cak i raportimeve se ka vdekur.
Lajmi për “vdekjen” e Rexhës u përhap pasi në të shkruhej se “CNN-i ka konfirmuar se pop ylli Bebe Rexha ka vdekur si pasojë e mbidozës nga droga në shtëpinë e saj në Kaliforni”.
Aty thuhej se familja e Rexhës ka konfirmuar raportimet dhe se po kërkon privatësi. Në postim shihej fotografia e Rexhës dhe e një trupi që po bartej.
Pas gjithë “pushtimit” të rrjeteve sociale, Rexha reagoi ashpër në Twitter duke lutur njerëzit që të ndalen me raportime të rreme.
“Jam tre ditë jashtë rrjetit dhe jo vetëm që vdes, por vdes për shkak të mbidozës??? Zot ndali”, ka shkruar ajo ndër shumë postime.