Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) po vlerëson se dënimet minimale për vrasësit e grave, po u lënë hapësirë abuzuesve që të kryejnë edhe vepra të tjera penale. Besarta Breznica, nga kjo organizatë i tha Ekonomia Online, se dënimet janë nga ato me gjobë e deri dënime me kusht që po vlerësohen shumë të ulëta.
Ajo shtoi se Kosova është një vend me kulturë tradicionale dhe patriarkale, prandaj edhe gratë po vazhdojnë të akuzohen. Sipas saj, kjo është edhe njëri nga faktorët që po qon në rritjen e numrit të vrasjeve.
“Kur po flasim për femicidin dhe vrasjet e grave në Kosovë, pa dyshim, që Kosova është një vend me kulturë tradicionale dhe patriarkale. Këto vlera dhe norma ndikojnë në shoqërinë tonë, veçanërisht kur burrat rriten në ambiente të tilla, ku gratë janë pronë dhe ku atyre u është e vështirë të kenë kontroll mbi jetën e tyre. Në një mjedis të tillë, mund të ndodhë që një grua të mundohet ta drejtojë jetën e saj në mënyrë të pavarur dhe të bëhet viktima e dhunës, duke arritur deri në vrasje, nëse marrëdhënia e tyre nuk është e rregullt”.
“Kjo është një ndër faktorët që ndikojnë në vrasjet e grave, ndërsa faktorë të tjerë, pa dyshim, janë edhe në rastet e dhunës në familje. Mund të përmendim edhe dënime të ulëta nga institucionet e Republikës së Kosovës, veçanërisht nga institucionet e Drejtësisë, ku Rrjeti i grave është dëshmitar i shumë rasteve me dënime minimale, qoftë në formë gjobash ose me kusht. Këto dënime, në disa raste, mund të kenë ofruar luksin dhe kohën e duhur për abuzuesit të kryejnë vepra penale të tjera”.
Breznica, tha se ndonëse ligjet në fuqi mundësojnë masa kundër dhunës në familje, por që është e rëndësishme që institucionet t’i zbatojnë më përgjegjësi këto ligje, raporton EO.
“Kosova ka legjislacion të pasur, duke përfshirë ndryshimet në Kodin Penal të Republikës, ku janë përforcuar disa masat. Ligji për mbrojtje nga dhuna në familje është gjithashtu ndryshuar, duke përfshirë forma të shumta dhe duke vendosur detyra për çdo institucion individualisht. Institucionet duhet të respektojnë dhe të zbatojnë këtë legjislacion të fuqishëm që kemi në fuqi”.
Më 2023, në Kosovë janë vrarë katër gra, ndërsa më 2022 është raportuar për vrasjen e tri grave – për të tria rastet, fajtorë ose të dyshuar kanë qenë bashkëshortët e tyre.
LEXONI EDHE: