Rrjeti i shoqatave të qytetarëve, gazetarëve dhe mediave kundër dhunës, i cili mbështet kërkesat e protestës civile “Serbia kundër dhunës”, vlerësoi sot se dorëheqjet e ministrit të Punëve të Brendshme dhe drejtorit të BIA-s (shërbimi informativ serb) janë hapi i parë për reforma themelore e sistemit të sigurisë së brendshme.
Ai rrjet po ashtu në deklaratë theksoi se sistemi i sigurisë së Serbisë është “i kapur nga interesat partiake” dhe, siç thuhet, “nuk i pengon dhunës së përhapur”.
Ajo shtoi se ngjarjet tragjike në shkollën fillore të Beogradit “Vladislav Ribnikar” dhe rrethinën e Mlladenovcit janë shembulli më i tmerrshëm i dhunës, i pranishëm në vitet e fundit në Serbi.
“Mungesa e një reagimi policor ndaj shkeljeve të të drejtave të njeriut, vrasjeve të pazbardhura, lidhjeve të konstatuara të pjesëve të qeverisë me krimin e organizuar, vënies së shërbimeve të sigurisë në shërbim të vendeve të huaja dhe faktit që ka njerëz për të cilët ligji nuk aplikohet në Serbi prej kohësh është alarm për ndryshime urgjente dhe rrënjësore në sistemin e sigurisë”, thuhet në njoftim.
Ai rrjet deklaroi gjithashtu se “askush nuk është mbajtur kurrë përgjegjës për këtë gjendje”, por, siç u shpreh, “praktika e abuzimeve nga policia dhe BIA vazhdoi të kapte shtetin dhe të rriste pushtetin e individëve”.
Rrjeti theksoi se përveç dorëheqjeve të ministrit të Brendshëm, Bratislav Gashiqit dhe shefit të BIA-s, Aleksandar Vulin, “për reformën thelbësore të sistemit të sigurisë janë të nevojshme edhe zgjedhja e drejtorit të ri të policisë dhe miratimi i ligjeve të reja për punët e brendshme dhe BIA-n”.
Sipas njoftimit, këto ligje do të ndalonin abuzimin e policisë dhe BIA-s për qëllime politike.