Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Liburn Aliu, ka folur për rrugën që pritet të lidhë komunën perëndimore të Kosovës, Deçanin me Plavën në Mal të Zi, raporton Ekonomia Online.
Aliu tha se për këtë çështje kanë zhvilluar takime me Malin e Zi, mirëpo nuk është i sigurt nëse ky shtet ka gatishmërinë për të përfunduar pjesën e saj.
“Kemi pasur takime të shumta me ministrin e Malit të Zi dhe e kemi diskutuar. Fatkeqësisht, s’ka asnjë marrëveshje mes Kosovës dhe Malit të Zi për rrugën. Ajo s’është rrugë. Është rrugë Deçan-bjeshkë sepse është deri në kufi. Do ta kryejmë këtë rrugë, e pastaj do ta shohim sa janë gati në Malin e Zi për ta bërë pjesën tjetër”,
Tutje Aliu ka aluduar se motivi për asfaltimin e kësaj rruge mund të ketë qenë ndërtimi i vilave pa leje.
“Zyrtarisht nuk ka. Tjetër që ish-kryeministri thotë Deçan-Plavë. Zyrtarisht s’ka rrugë të tillë. Pjesa do të vazhdojë siç është projekti. Do të kenë mundësinë në bjeshkë të marojnë edhe vila pa leje përskaj rrugës së asfaltuar siç është e paraparë me projekt, ndoshta ky ka qenë edhe motivi kryesor, sepse s’ka qenë Deçan-Plavë. Po të ishte Deçan-Plavë, do të merrej vesh me Malin e Zi e do të ishte projekti deri atje por ka qenë deri në bjeshkë”, ka shtuar Aliu.