Gazetaria, dhe profesioni si gazetar, është shumë i bukur por edhe sfidues, sepse vazhdimisht do të përballesh me situata dhe gjëra të reja dhe interesante, që vetëm një gazetar i suksesshëm mund t’i përballojë.
Rruga drejt zgjerimit të dijes është në duart e vetë atij që ka synim këtë profesion dhe ta arrish këtë nuk është i vështirë nëse e do dhe lufton për të. Natyrisht, që ka shumë rrugë që duhet ecur për të arritur objektivat…
Gazetaria është një profesion mjaft sakrifikues, fisnik, dhe që kërkon shumë vetëbesim dhe kurajë për të vazhduar më tutje. Andaj çdo rrugë që nis dhe profesion që ëndërron përpiquni ta bëni aty nga më e vështira, sepse aty do mund të shihni dallimin e të vështirës me të lehtën, të mirën me të keqen, e në fund të mund t’i thuash vetes: “Unë mundem”.
Gjithmonë do të ketë “eprorë” që do të bëjnë presion, që do të vraposh së kërkuari lajme e lajme, e në fund të thonë se nuk ka shumë vlerë; do të lodhesh dhe ndoshta edhe dorëzohesh. Por, krejt këto janë krajata, që mbase duhet kaluar për t’u pjekur si profesionist. Gazetaria është një përballje dhe sakrificë dhe një gjë nuk duhet harruar për asnjë çast: Ti punon për të informuar sa më korrekt dhe drejt publikun.
Andaj asnjëherë nuk duhet pretenduar humbjen, dashuria për profesionin duhet të të bëjë më të fortë se kurrë. Një thënie e bukur thotë: “Gazetarët janë njerëz të mirë dhe spiritual”. Pra krejt varet se çfarë lloj i gazetarit do të bëhesh. Puna, sakrifica, mosdorëzimi janë elementet që duhet t’i ketë çdo person që ëndërron rrugën drejt profesionit të gazetarit.
Të kërkosh të bëhesh dikush që ke dashur dhe ëndërruar gjithmonë është e vështirë dhe me shumë sfida. Por, që gjithmonë ekziston ajo dëshira se një ditë do të arrish në majat e suksesit përkundër sfidave dhe vështirësive të ndryshme. Rruga drejt çdo profesioni është e vështirë, por bashkë me vështirësitë është dhe kënaqësia, ajo kënaqësia që ti po vazhdon të bësh diçka të rëndësishme dhe të dobishme për shoqërinë. Shumica prej nesh, si studentë të gazetarisë, këtë profesion e kemi zgjedhur dhe e kemi pasur ëndërr të kamotshme. Tashmë, na është dhënë kjo mundësi.
(Autorja është studente e gazetarisë në UP)