Pasi bëri paraqitjen e parë në stërvitje me skuadrën e parë të Barcelonës, Ansu Fati u kyç në Instagram dhe postoi një foto me shkrimin: “Ëndrrat realizohen”. Një javë më vonë dhe 16-vjeçari duhet të jetë në qiellin e nëntë.
Të dielën Fati debutoi në La Liga, ndërsa u aktivizua nga banka rezervë duke u pritur me duartrokitje të shumta në “Camp Nou”. Ai hyri në lojë në minutën e 78-të në fitoren 5:2 ndaj Real Betisit. Shpërblimi i tij në rrugën për në zhveshtore? Një përqafim nga një prej futbollistëve më të mirë të të gjitha kohërave, Lionel Messi.
Çfarë ka mundur të kërkojë Fati më tepër nga kjo e diel magjike? Në moshën 16-vjet, nëntë muaj e 25 ditë, ai u bë vetëm lojtari i dytë më i ri që luajti në histori të Barcelonës në ligë. Mbrojtësi Vicente Martinez ishte 18 ditë më i ri kur luajti për Barçën në vitin 1941.