Rruga Ferizaj-Gjilan merr emrin Beau Biden

Prishtinë | 17 Gus 2016 | 16:36 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në afërsi të kampit Bondsteel, në Sojevë të Ferizajt, është mbajtur ceremonia e emërtimit të rrugës Ferizaj-Gjilan me emrin Joseph R. “Beau” Biden, III, djalit të zëvendëspresidentit të ShBA-së, Joe Biden.

Në ceremoni kanë marrë pjesë edhe Joe Biden, me bashkëshorten e tij Jill, dhe nipërit e tij, presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Isa Mustafa e shumë personalitete ndërkombëtare e vendore.

Në një fjalë para të pranishmëve, zv.presidenti Biden tha se djali i tij i cili vitin e kaluar ka vdekur nga kanceri ishte dashuruar në Kosovën, ashtu siç është i dashuruar edhe vetë ai.

Me emocione për këtë nder që i është bërë nga shteti i Kosovës, Biden ka prezantuar të birin dhe të bijën e Beau Biden.

Biden tha se ky çast është i ëmbël, por edhe i hidhur derisa premtoi se çdo Biden do të vijë në Kosovë për ta parë memorialin e ngritur për nder të familjarit të tyre, që vdiq nga kanceri.

Në këtë ceremoni kanë folur edhe presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Isa Mustafa dhe kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri.

“Jemi sot në këtë vend për një arsye shumë të veçantë. Jemi këtu të kujtojmë Beau Biden, por, nëpërmjet këtij kujtimi, të reflektojmë pak edhe për rrugën e përbashkët që kemi ne – Republika e Kosovës dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në këtë botë plot sfida”, tha presidenti Thaçi.

“Beau Biden i ndjerë, për ata që nuk e dinë, përveç se ishte i biri i zëvendëspresidentit Biden, ishte edhe një nga amerikanët që kanë shërbyer me zell dhe me dashuri në Kosovën e pasluftës. Si një jurist i ri dhe entuziast, ai ka ndihmuar që të ngritën kapacitetet e para të sundimit të ligjit”.

Presidenti Thaçi theksoi se Beau ka ndihmuar prokurorët dhe gjykatësit vendorë të fitojnë përvojën e duhur të drejtësisë, ashtu që Kosova të mos jetë vetëm një shoqëri e lirë, por edhe një vend me të drejta të barabarta. “Ju ftoj të mendojmë pak për këtë koncept të të qenit të barabartë”.

Kurse, kryeministri Mustafa shprehu bindjen se emërtimi i kësaj rruge me emrin e Beau Biden, do ta forcojë edhe më shumë lidhjen ndërmjet popullit të Kosovës dhe të SHBA-ve.

ZKP-03

Duke vlerësuar lart kontributin e Beau Biden dhënë pas luftës në vënien e themeleve të sistemit juridik në Kosovë, Mustafa, tha se ai meriton të jetë engjëlli mbrojtës i kosovarëve për shkak të historisë së jetës së tij.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë partneri kryesor strategjik i Kosovës. Prandaj, edhe pagëzimin e kësaj rruge me emrin Beau Biden, ju lutemi ta shihni si një përpjekje të kosovarëve për të respektuar angazhimin e qindra, mijëra e miliona amerikanëve për çlirimin e Kosovës dhe për shtetndërtimin e saj. Partneriteti mes dy vendeve tona është natyral. Ne ndajmë vlera të përbashkëta. Prandaj, tek Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kosova sheh aleatin e vet të përhershëm, të cilin, Presidenti historik i Kosovës, Ibrahim Rugova, e ka emërtuar mrekullisht si Miqësi të përhershme të dy vendeve që kanë të vendosura lidhje speciale”, tha Mustafa.

Të ngjashme