Rruga jonë drejt rrënjëve tona kulturore mund rë rifillojë nga Bob Dillani

Prishtinë | 31 Maj 2024 | 22:13 | Nga Milazim Krasniqi

Duhet të organizohen konferenca të reja shkencore, që të trajtohen aedët homerikë, rapsodët e këngëve kreshnike, modeli i poetit Gjergj Fishta, për të ardhur deri te të kuptuarit më të mirë edhe të mrekullisë artistike të Bob Dillanit. E gjitha kjo do të duhej të bëhej në kontekstin e vlerave të poezisë dhe të muzikës tonë shqiptare, e cila i ka rrënjët thellë në antikitet, atje ku poezia e muzika ishin bashkë.

Para pak ditësh ishte ditëlindja e Bob Dillanit, këngëtarit legjendar dhe fituesit të Çmimit Nobel për letërsi. Kur e pati fituar Nobelin kam thënë se ai çmim do të duhej të na gëzonte ne shqiptarëve më së shumti. Pse? Sepse vlerësimi i Bob Dilanit me çmimin më të lartë për letërsi, është vlerësim për një formë të artit poetiko-muzikor, që ne shqiptarët e kemi kultivuar me shekuj. Natyrisht shkaqet dhe konteksti ynë për këtë formë simbiotike të artit, ka qenë krejtësisht tjetër nga ai i Dillanit, por rezultati ka ngjashmëri: tekstet janë krijuar për t’u kënduar dhe janë kënduar duke shkrirë qëllimisht tekstin e muzikën në një tërësi unike artistike. Kjo nuk ka ndodhur vetëm me letërsinë popullore, po edhe me letërsinë e shkruar shqipe. Mjafton të kujtohet këtu poema zulmmadhe e monumentale “Lahuta e malcis” e Gjergj Fishtës, e cila është kënduar deri vonë nga rapsodët në Kosovë.

Pra, vlerësimi për poezinë-muzikë të Dillanit, ne shqiptarëve do të duhej të na gëzonte, si një vlerësim për një formë të kombinuar të poezisë e muzikës, që ndër ne ka qenë dominante. Por, nuk ndodhi ashtu. Edhe në atë rast u vërtetua që letërsia dhe kultura jonë janë shkëputur shumë nga rrënjët e saj, nga tradita mirëfilli shqiptare, ku kombinimi i poezisë me këngën kanë qenë të pandashëm, të vetëkptueshëm. Pra, shumë shekuj para mrekullisë artistike të Bob Dilanit, këtë model e kemi kultivuar me sukses të rrallë ne shqiptarët. Kënga kreshnike shqiptare, me tekst mirëfilli artistik dhe me interpretim në formë rituali, ka edukuar artistikisht e kombëtarisht breza shqiptarësh ndër shekuj. Simbioza e tekstit dhe këngës kanë përftuar një model artistik që ka pasur audiencë të madhe dhe madje aktive. (Kujtoni këngën e Salih Sylës, ku bukuria e interpretimit të këngës, provokon pasionin e grave për ta dëgjuar, me çka thyen konvencionin dhe ashtu audienca aktive bëhet e kobshme për artistin!) Kjo simbiozë e poezisë me muzikën dhe ajo audiencë aktive e ka modeluar jo vetëm përjetimin artistik, po edhe atë real të botës nga ana e shqiptarëve. Disa nga rapsodët kanë qenë poetë e këngëtarë njëkohësisht, duke mbajtur gjatë interpretimit ekuilibrat fantastikë ndërmjet kuptimit të vargjeve dhe emocioneve të muzikës. Mjafton të kujtojmë në këtë kontekst rapodë si Sali e Feriz Krasniqi, Riza Bllaca, Augustin Uka, Marash Krasniqi, Ibish Broja, etj., që të kuptojmë se ata bënë për artin poetik-muzikor po atë mrekulli artistike që bëri e bën Bob Dillani për kulturën amerikane. (Natyrisht, me kufizimet që impononte gjendja e rëndë e kombit shqiptar.)

Pse nuk u kujtua askush për këtë ngjashmëri të disa poetëve dhe rapsodëve tanë me modelin e poetit-këngëtar, që sivjet fitoi Nobelin për letërsi? Përgjigja mbetet po ajo, e dhimbshme: sepse ka një harrresë të frikshme që është vendosur mbi kulturën tonë kombëtare nga periudha e “vesternizimit” të rremë dhe realizmit socialist e që po vazhdon me egërsi edhe në ditët tona të një liberalizmi anarkist. Gjatë kësaj kohe na është fshirë një pjesë e rëndësishme e kujtesës kulturore.

Prandaj, sot eksperimentohet një art e kulturë pa kujtesë. Ama, arti pa kujtesë nuk shprehë idealet e vërteta të njeriut shqiptar për jetën, familjen, atdheun, dashurinë, urrejtjen, besën, tradhtinë, vdekjen dhe jetën e pasosur. Prandaj, tjetërsimi ynë kurrkund nuk zbulohet më frikshëm se sa në poezi e në këngë. Meqë kjo shkëputje nga vlerat e traditës shqiptare ka ndodhur në përmasa tmerruese, pothuaje askush më nuk e ndjen, as nuk e sheh gjëmën e kësaj shkëputjeje. Po rrezikojmë që të lëmë prapa vetes një amulli kultrurore. Nëse kjo ndodhë, do të jetë truall për zombet, që edhe nëse si nëpër mjegull do të thonë se janë shqiptarë, kulturalisht nuk do të jenë të tillë.

Prandaj, verdikti i sivjemë i Komitetit të Nobelit meritonte vëmendjen tonë në këtë drejtim. Bile ka kohë që kjo të bëhet. Fjala vjen, mund të organizohen konferenca të reja shkencore, që të trajtohen aedët homerikë, rapsodët e këngëve kreshnike, modeli i poetit Gjergj Fishta, për të ardhur deri te të kuptuarit më të mirë edhe të mrekullisë artistike të Bob Dillanit. E gjitha kjo do të duhej të bëhej në kontekstin e vlerave të poezisë dhe të muzikës tonë shqiptare, e cila i ka rrënjët thellë në antikitet, atje ku poezia e muzika ishin bashkë. Dhe bashkë erdhën edhe përmjet aedëve, këngëve akritike e atyre kreshnike, poezisë alamiado, poezisë fishtiane, këngëve historike e deri te rapi. Por, amnezionin tonë duket se nuk po arrin të na e shërojë as mrekullia që ndodhi me Bob Dillanin. Ndërsa, vlerësimi i veprës së tij gjithnjë mbetet rast që t’i kthehemi kësaj çështjeje. T’u kthehemi modeleve tona artistike dhe rrënjëve tona kulturore.

Të ngjashme