Segmenti rrugor i magjistrales M9 nga Peja deri në Kuqishtë është përplot gropa, teksa autoritetet komunale ende nuk kanë bërë asnjë veprim për ta sanuar këtë gjendje.
Gjatë tërë sezonit vjeshtor dhe dimëror ka pasur edhe rrëshqitje të shpeshta dhe të mëdha të dheut dhe gurëve, që kanë bllokuar disa herë edhe qarkullimin në këtë arterie kryesore rrugore në trevën e Rugovës. Shqetësimet dhe ankesat e qytetarëve për gjendjen e rrugës janë shpeshtuar, sidomos nga banorët e Rugovës që frekuentojnë më së tepërmi kësaj rruge, shkruan sot Koha Ditore.
“Rruga momentalisht është shumë e dëmtuar dhe ajo ka qenë e dëmtuar edhe gjatë sezonit të dimrit. Zakonisht viteve paraprake gjithashtu ka qenë e dëmtuar, por kanë intervenuar pas ngricave, derisa këtë vit rruga vazhdon të jetë e dëmtuar dhe ende nuk ka intervenuar askush në përmirësimin e gjendjes së saj”, ankohet rugovasi Rexhep Kurtbogaj, i cili është edhe këshilltar në Kuvendin Komunal të Pejës nga ajo trevë. Meqenëse ka vonesë të intervenimit, së paku në mbushjen e gropave, rugovasit nuk e kanë të qartë arsyen e mosndërhyrjes në riparimin e pjesëve të dëmtuara të rrugës.