Rrugaçi i Speciales dhe kolosi Thaçi

Prishtinë | 14 Mar 2025 | 14:49 | Nga Behxhet Shala

Mizëria dhe poshtërsia: Presidenti i rrëmbyer nga burokratët banditë ndërkombëtarë, Hashim Thaçi, thuaja pesë vite po mbahet peng bashkë me bashkëluftëtarë dhe themelues të shtetit në Hagë, si çmim për poshtërsitë në kurriz të Kosovës nga ata që e arrestuan, kryesisht ndërkombëtarë dhe nga ata që u gëzuan dhe i ndihmuan, thuaja i tërë kabineti Kurthi 2. Presidentit Thaçi katër herë iu refuzua kërkesa e mbrojtësve bërë dhunuesve të Hagës që t’i lejohet vizita babait të sëmurë rëndë, thuaja 87-vjeçar e që po trajtohet, jo në klinikat elitare ndërkombëtare por në QKUK, ku trajtohen dhe vdesin vdekatarët e rëndomtë. Dhunuesit e Hagës, me refuzimin e lejimit të një vizite humanitare, katër herë dhunuan të drejtat e njeriut dhe katër herë dhunuan “Rregullat e Nelson Mendelës”, si standarde më të larta të drejtave të njeriut të personave të privuar nga liria sipas Kombeve të Bashkuara. Përkundër një urrejtje të shfrenuar të pushtetarëve aktualë kundër presidentit Thaçi, luftës Çlirimtare dhe UÇK-së si dhe pengjeve të Hagës, një numër i qytetarëve shkoi në QKUK për të përkrahur çlirimtarët dhe UÇK-në ndonëse nuk kishte fare informata për këtë vizitë. Pushteti fare nuk reagoi për këtë vizitë pasi nuk kishte mundësi ta ndalonte. Pushteti nuk reagoi fare për këtë vizitë anipse shteti i Kosovës po nënçmohet dhe bullizohet brutalisht nga dhunuesit e Hagës duke mos përfillur asnjë ligj apo kod moral të Kosovës. Këto vizita jo se nuk janë aspak humanitare por janë skajshmërisht poshtëruese që cenojnë rëndë shtetin dhe Kushtetutën e Kosovës, shpërfillin sovranitetin, e dhunojnë integritetin territorial dhe moral. Një polic i thjeshtë i kësaj gjykate ka më shumë autoritet dhe fuqi se KM Kurthi, presidentja Vojsa Osmani dhe kryetari i Kuvendit, Glauk bin Konjufca. Bllokimi i rrugëve nga aeroporti e deri te QKUK-ja, vendosja e shtetrrethimit policor në QKUK dhe masat rigoroze ndaj familjarëve, nuk kanë të bëjnë asgjë me ligjet e Kosovës apo me një vizitë humanitare. Edhe më Kosovë por edhe në vendet me një demokraci të zhvilluar me  një standard të respektimit të drejtave të njeriut mundësohen këto vizita por se nuk janë aq poshtëruese apo degraduese siç po e bëjnë cubat juridikë të Hagës. Edhe Tribunali për Krime Lufte për ish-Jugosllavinë në Hagë lejonte këso vizita por kushtet ishin në përputhje të plotë me dinjitetin e njeriut. Gjithmonë e pyes veten pse duhet të pranohen këto vizita nga pengjet e Hagës që janë aq poshtëruese?! Edhe në kohën kur isha në burgjet e ish-Jugosllavisë,  unë dhe shumë shokë kemi pasur raste të vdekjeve të prindërve dhe anëtarëve të familjes së ngushtë por asnjëherë nuk kemi bërë kërkesë të na lejohet të marrim pjesë në varrim apo kryeshëndosh. Ishte qëndrim i të burgosurve politikë shqiptarë të mos bëjmë kërkesa të tilla. Sigurisht edhe nuk do të na lejonin përveç se këto kërkesa do t’i bënin pjesë të dosjes. Kur më ka vdekur babai isha në izolim një vit bashkë me disa shokë në Burgun e Gospiqit në Kroaci. Të pamën për vdekjen e babait ma organizuan Hysen Shurdhani dhe Hilmi Muzaqi në njërën nga dhomat e Burgut. Sjellja e një polici të Gjykatës Raciste Speciale ndaj një mjeku që e përqafoi presidentin Thaçi ishte sjellje e një rrugaçi, një huligani, një banditi kriminel që shkelë brutalisht shtetin që nuk është i tij e që nuk ka të bëjë asgjë me të përveç se e shpërfaq një rrugaçëri prej mujshari në kohën kur shteti i Kosovës as nuk ka vullnet e as nuk guxon të reagojë. Mjekët as gjatë veprimeve luftarake nuk guxojnë të pengohen e as të kërcënohen për punën e tyre. Ky faqezi i maskuar që mundohet të mbulojë diçka që nuk e ka fytyrën, vetëm në Kosovë mund të sillet kështu, në vendet tjera nuk do ta duronin. Kjo më së miri tregon se sa jemi të pavarur dhe sovran. E tmerrshme është kjo! Është e pabesueshme se n’çmasë manifestohet urrejtja ndaj luftës dhe UÇK-së. Personi fizik mund të burgoset, historia jo. Hashim Thaçi është vet historia, e Kosovës, shqiptarëve dhe e të gjithë atyre që luftojnë për liri, pavarësisht cilit vend apo popull i takojnë. Për një periudhë histori është Ibrahim Rugova, është Bacë Adem Demaçi, Adem Jashari dhe natyrisht është edhe Hashim Thaçi. Ky realitet nuk ndryshon, as sot e asnjëherë.

Të ngjashme