Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tashmë ka zyrtarizuar 17 kandidatë për kryetar të komunave, raporton Ekonomia Online.
Kandidati i kësaj partie për Pejën, Rrustem Berisha, sot ka mbajtur konferencë për media, e para që nga zyrtarizimi i tij si kandidat për të parin e njërës prej komunave më të mëdha në vend.
Berisha ka thënë se do i ofrojë Pejës gjithë përvojën dhe ekspertizën e tij profesionale për një qeverisje të mirë dhe një program të hartuar nga ekspertët dhe ekipi profesional, gjithnjë në shërbim të plotë ndaj qytetarëve të Pejës.
Ai theksoi se komuna e Pejës ballafaqohet me probleme të shumta në sfera të ndryshme dhe se ai si kryetar ka disa prioritete siç janë: kthimi i ligjshmërisë në komunën e Pejës, zhvillimi ekonomik, arsimi, infrastruktura, urbanizmi, bujqësia, turizmi, kujdesi permanent për kategoritë e dala nga lufta, diaspora dhe mbështetja për rininë, kulturën dhe sportin.
Ai tha se do të fokusohet te sektori i turizmit po ashtu, ku u zotua se do të angazhohet për heqjen e Rugovës nga zona e parkut nacional.
“Deri më tani s’ka asnjë përfitim përveç pengesave të caktuara që janë bërë në drejtim të qytetarëve të kësaj ane”.
Po ashtu, ai tha se do ta funksionalizojmë zyrën për diasporë.
Berisha tha se në fund ekipi i ekspertëve të fushave të ndryshme janë duke hartuar programin qeverisës i cili do shpaloset në kohë optimale.
Kujtojmë se Rrustem Berisha ka qenë Ministër i parë i Mbrojtjes, në kohën e të cilit është formuar Ushtria e Kosovës, në qeverinë Haradinaj 2.
Gjithashtu, ai ka qenë udhëheqës në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, më saktësisht komandant i Betejës së Koshares. Rrustem Berisha pas luftës ishte për 7 vjet Drejtues i Akademisë së Mbrojtjes në Prishtinë ku janë shkolluar oficerë e nënoficerë të rinjë të Ushtrisë së Kosovës. Po ashtu Gjeneral Berisha ka ushtruar detyrën e Zëvendës Komandantit të Brigadës për Reagim të Shpejtë në kuadër të FSK-së.
Ai synon të merr mandatin e të parit të Pejës pas 8 vite të qeverisjes së LDK-së.