Ish-Komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për Zonën e Llapit, Rrustem Mustafa do të intervistohet sot nga Prokurorët e Dhomave të Specializuara, në Hagë.
Për në Holandë Mustafa u nis ditën e diel, ndërsa deklaroi se ndjehet i pafajshëm dhe se po i përgjigjet ftesës së Gjykatës Speciale për pretendimet e bëra nga Dick Marty.
Në fund të 2018-ës ai u bë komandanti i parë i UÇK-së që u ftua nga Gjykata Speciale.
Rrustem Mustafa i njohur si komandant Remi, që ishte njeriu kryesor i Zonës Operative të Llapit ishte përballur me akuza për krime lufte që nga viti 2002.
Mustafa dyshohej se në prill të 1999-ës ka urdhëruar Nazif Mehmeti të vriste pesë shqiptarë në qendrat e paraburgimit në Majac dhe Potok, të cilët konsideroheshin spiunë të Serbisë.
I tërë procesi i njohur si “Grupi i Llapit”, zgjati 14 vjet. Më 2003, Mustafa u dënua me 17 vjet burgim, denim i cili u zbut në 4 vjet më 2009. Kjo masë dënimi u la në fuqi edhe nga Gjykata Supreme më 2016.
Përpos Remit gjatë ditës së djeshme për në Hagë u nis edhe ish-Komandanti tjetër i UÇK-së, Sami Lushtaku.