Rrustemi: Për keqardhje që disa zëra opozitarë kanë zgjedhur ta minimizojnë sulmin në Ibër-Lepenc

Prishtinë | 02 Dhj 2024 | 12:45 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka folur për shpërthimin në kanalin e Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin-Potokut duke akuzuar siç ka thënë “zëra opozitarë”, “për minimizim të rastit dhe manipulim të publiku” lidhur me të, raporton Ekonomia Online.

Ai ka thënë se në këtë mandat qeverisës kanë treguar vendosmëri për të shtrirë sovranitetin në çdo cep të Kosovës

“Ne si shumicë parlamentare e dënojmë këtë akt terrorist. Serbia duhet të mbahet përgjegjëse për këtë sulm … Është për keqardhje që disa zërë opozitarë kanë zgjedhur ta minimizojnë këtë akt dhe ta manipulojnë opinionin publikë duke tentuar të përfitojnë politikisht nga një situatë tragjike që Serbia orkestron kundër nesh”, është shprehur Rrustemi.

“Në mandatin tonë kemi bërë zotimin që të mbrojmë sovranitetin, ne kemi arritur që këtë ta realizojmë… deri para tre vjetësh atje mund të shkoje vetëm me lejen e Raidoqiqit, madje edhe në vilën e tij, komunat paralele nuk ekzistojnë, targat janë konvertuar, e flamuri i Kosovës është vendosur në institucione komunale. Qeveria po ndërton stacione policore atje si asnjëherë më parë. E për shkak të kësaj jemi duke u përballur me sulme nga Serbia. Dikush mund të pyet pse më herët nuk ka pasur kësi sulme, pasi nuk ka pasur nevojë se Raidoqiqi ka pasur fuqi, i ka pasur strukturat ilegale”, ka deklaruar Rrustemi.

Të ngjashme