Është mbajtur konferenca për media për organizimin e edicionit të tretë të Festivalit të Këngës së RTK-së, i cili do të zhvillohet më 6, 7 dhe 8 nëntor në sallën e Pallatit të Rinisë në Prishtinë, me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Komunës së Prishtinës, raporton Ekonomia Online.
Drejtori i festivalit, Rilind Garvalla, tha se ky edicion vjen me një koncept tërësisht të ri dhe me një organizim që dëshmon përgatitjen e Kosovës për të qenë pjesë e “Eurosong”-ut.
“Normalisht që anëtarësimi në ‘Eurosong’ ka problemet e veta politike. Ato shkojnë paralelisht edhe me situatën politike, por edhe me procesin në të cilin po kalon Kosova, karshi Komisionit Evropian si dhe Kombeve të Bashkuara. Këto dy institucione do ta dërgonin drejtpërdrejt RTK-në në ‘Eurosong’. Ne, në dy festivalet e para, e edhe në këtë të tretin, e kemi dëshmuar se Kosova është gati për ‘Eurosong’,” tha Garvalla.
Sa i përket organizimit të festivalit, ai theksoi se ky është ndër projektet më të mëdha të RTK-së.
“Një nga projektet më të mëdha të institucionit tonë. Ky është edicioni i tretë i festivalit, dhe këtë vit kemi një qasje krejtësisht të re. Gjithçka që do të shihni është punë e një ekipi krijues. Gjithçka është prodhim i RTK-së, me datën 6-7-8 në sallën e Pallatit të Rinisë, në mbështetje të MKRS-së dhe Komunës së Prishtinës. Qëllimi i festivalit është përbashkimi i ideve, këndvështrimeve – ku bashkimi bëhet përmes muzikës, përmes trashëgimisë sonë kulturore. Në tri netë festive do të dëgjojmë zërin e artistëve tanë,” tha ai.
Drejtori artistik i festivalit, Florent Boshnjaku, tha se puna për këtë edicion ka qenë e jashtëzakonshme dhe se RTK po përgatitet për momentin kur Kosova do të jetë pjesë e “Eurosong”-ut.
“Është bërë një punë e jashtëzakonshme. Arsyeja pse shumë njerëz e përcjellin është ‘Eurosongu’, por edhe ajo ditë do të vijë. Mendoj që dita-ditës ky institucion është duke marrë veten dhe është duke bërë punë siç duhet, dhe kur vjen momenti i ‘Eurosongut’ do të jetë më e lehtë me u bë diçka që të gjithë e presim. Edhe sivjet, përmbajtja artistike dhe ajo e këngëve janë shumë këngë të bukura. Po ashtu do të kemi edhe të ftuar special,” tha Boshnjaku.
Ndërsa skenaristi i festivalit, Gent Salihu, tha se Kosova ka një histori të pasur të muzikës bashkëkohore dhe zbuloi detaje për trofeun që do të ndahet në këtë edicion.
“Kosova ka një histori të pasur të muzikës bashkëkohore. E bukura e saj është që trofeu që do të ndahet për këtë çmim do të jetë ‘Okarina e Artë’, të cilën e ka ndarë ‘Akordet e Kosovës’,” tha Salihu.
