Lëvizja Vetëvendosje ka nisur një mocion në Kuvend për shkarkimin e bordit fë RTK, ndërsa kjo nismë që nuk ka asnjë mbështetje ligjore po vlerësohet si antikushtetuese dhe përpjekje për linçim e cenim të rëndë të transmetuesit të vetëm publik.
Ky është dokumenti përmes së cilit Lëvizja Vetëvendosje synon votën e deputetëve për shkarkimin e Bordit të Radio Televizionit Publik.
Mocioni përmbajtësor i Lëvizjes që si pikë të parë ka shkarkimin e Bordit të transmetuesit të vetëm publik në Kosovë pritet të diskutohet të premten në sallë plenare, por kjo mund të bëhet vetëm pasi Zyra Ligjore e Kuvendit të japë këshillë juridike për ligjshmërinë e mocionit.
Për këtë pati përplasje rreth një orë mes antarëve të Kryesisë këtë të hënë, ku tre prej nënkryetarëve konsideruan se përmbajtja e këtij mocioni ka elemente antiligjore e antikushtetuese.
Se ky dokument dy faqësh i protokoluar me 4 të këtij muaji ka ndërhyrje direkte politike e thotë edhe kreu i Bordit të Televizionit, Sali Bashota.
Bashota e ka quajtur këtë si veprim të paligjshëm dhe kundërkushtetues që i bënë Vetëvendosje direkt një organi kolegjial siç është Bordi i RTK-së.
Për më tepër Rrjeti Evropian i Transmetuesve Publik ka kërkuar disa herë që partitë politike të mos ndërhyjnë në punën e RTK-së.
Bashota ka përgënjeshtruar pretendimet e Lëvizjes të mocionin disa pikësh të tyre ku flitet për zgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm para 20 muajsh, për zgjedhjen e Menaxhmentit të ri, për mospagesën e Trustit për punëtorët e të tjera.
Ai ka thënë se pagesa e Trustit është kryer, por pengesa ka pasur për shkak të shkurtimit të buxhetit e i cili ishte bërë në kohën kur lideri i tyre ishte kryeministër.
Asnjë shkelje nuk është bërë me zgjedhjen e menaxhmentit të ri të RTK-së ka thënë Bashota meqë kjo është bërë me shumicë votash të Bordit të kompletuar së voni nga Kuvendi.
Ndërkohë në raportimin e fundit para Komisionit për Buxhet e Transfere krerët e RTK-së u vlerësuan nga deputetët për menaxhim sidomos për faktin se brenda 20 muajsh u ulën borxhet për mbi 2 milionë euro.
Nënkryetarja e Kuvendit, nga Vetëvendosje, Arbërie Nagavci tha se synimi dhe qëllimi i tyre është një medium publik kredibil në interes të publikut.
Por, sipas kryetarit të Bordit të RTK-së, kjo iniciativë e Vetëvendosjes është pa bazë ligjore dhe kushtetuese sikurse që është sipas tij në kundërshtim me të gjitha parimet dhe konventat ndërkombëtare, prandaj pret që vetë iniciuesit të tërhiqen nga ky mocion.