Rubin për Serbinë: Gjithmonë janë përpjekur ta fajësojnë UÇK-në për krimet e tyre

Prishtinë | 15 Sht 2025 | 16:27 | Nga Ekonomia Online

Ish-ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James Rubin i cili po vazhdon dëshnminë e tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ka deklaruar se forcat serbe janë munduar që të mbulojnë krimet e tyre dhe janë përpjekur që ta fajësojnë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Ai pohoi se forcat serbe kanë mbuluar krimet për t’i fshehur provat që të mos ketë llogaridhënie pas arritjes së NATO-s në Kosovë. Pra, që të mos ketë prova të disponueshme për Tribunalin për krime lufte.

Po ashtu, Rubin pohoi se Qeveria serbe nuk po vepronte sipas asaj që kuptohet si luftë konvicionale, por po vepronin si kriminelë për të fshehur krimet.

“Është karakteristikë që kemi parë në Bosnje dhe përsëri në Kosovë. Ata gjithmonë janë përpjekur që të fajësojnë UÇK-në. Pra, Qeveria serbe. Kjo është mënyra që ata e justifikonin atë që po bënin duke hedhur fajin tek të tjerët”, tha ai.

Rubin përmendi edhe një takim që kishte pasur me Jakup Krasniqin në Bruksel, ku Krasniqi i kishte kërkuar ndërhyrje ushtarake Amerikës, armatosjen e UÇK-së dhe ndalimin e spastrimit etnik nga Sllobodan Millosheviq.

Dëshmitari tha se kërkesat e Krasniqit ishin racionale në atë kohë, por ishte e pamundur që të realizoheshin në atë periudhë kohore.

Të ngjashme