Rubin: Thaçi s’kishte autoritet në UÇK, vepronte si zëdhënës i udhëheqjes

Prishtinë | 15 Sht 2025 | 11:29 | Nga Ekonomia Online

James Rubin, ish-nënsekretar i Shtetit teksa po jepte dëshminë e tij si dëshmitar i mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi është pyetur gjerë e gjatë për atë se si e njohu Thaçin.

Ai ka treguar se përshtypja e tij për Thaçin ishte se ai mund të pasqyronte vendimmarrjen e UÇK-së, raporton Ekonomia Online.

Rubin tha se nuk e shihte Thaçin si faktor kryesor në Rambuje, por si i pasqyrues të qëndrimeve të delegacionit shqiptar. 

Sipas tij, Thaçi nuk ishte në gjendje të marrë vendime pa u konsultuar me të tjerët. 

“Ka qenë një situatë me shumë presion. Nëse lëvizja kosovare do ta përqafonte Perëndimin, Perëndimi do të ishte pro tyre. Fati i jetëve të një milion njerëzve ishte në pyetje. 

Ai ishte një person që i ishte caktuar detyra të komunikonte me ne nga udhëheqja kosovare siç ishte asokohe. Ne nuk e kishim kuptuar mirë se si funksiononte struktura udhëheqëse, por e kishim të qartë se ai nuk kishte autoritet e as mundësi të diktonte asgjë, por thjesht pasqyronte vendimet që merreshin nga ajo zyra diku e fshehur, ajo zyra e udhëheqjes shqiptare që merrte vendime në grup dhe që nuk ishin gjithmonë të pranishëm, kështu që ai duhet ta merrte lejen prej tyre. Ai nuk kishte vetë mundësi. Nuk ishte në gjendje të diktonte rregulla dhe kushte. Kështu që kur ne dëshironim të bënim diçka shumë të rëndësishme, atij i duhet të komunikonte me persona të tjerë për t’i dhënë miratim”, tha Rubin.

“Përshtypja ime për Thaçin ishte se ai mund të pasqyronte vendimmarrjen. Pra, përshtypja ime ishte se ai ishte një pasqyrim i kësaj udhëheqjeje”, ka thënë Rubin.

Ish-diplomati amerikan deklaroi para Gjykatës Speciale se për arritjen e një marrëveshjeje paqeje duhet të arrihej pajtimi i faktorit ushtarak, andaj Thaçi e kryesonte delegacionin në Rambuje.

Rubin tha se e ka parë vetë në takime me komandantët e UÇK-së, se nuk ishte Thaçi ai që urdhëronte të tjerët, por komandantët i tregonin Thaçit se çfarë duhej të bënte. 

Të ngjashme