Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi, i ka dërguar një letër urimi Zëvëndëspresidentes dhe Kryetares së Senatit të SHBA, Kamala Harris.
Ruçi është shprehur se nën drejtimin vizionar të Harris Senati i ShBA do të vazhdojë të kryejë me sukses rolin e tij si tempulli më prestigjioz i debatit politik në botën e sotme dhe garantuesit të demokracisë amerikane.
“Mbështetja juaj si Kryetare e Senatit për miratimin e politikave parësore të Presidentit Biden për kapërcimin me sukses të pandemisë Covid-19, ringritjen ekonomike, harmoninë sociale e njerëzore, ndryshimet e klimës dhe fuqizimin e koalicionit të vendevçe demokratike, për përballimin e zgjidhjen e problemeve të planetit, janë garancitë për një lidership më të fortë të Shteteve të Bashkuara dhe kontributin e tyre për një botë më mirë, më të zhvilluar, me më shumë mirëqenie, siguri e paqe.”, shkruan ai në letër, raporton Tch, transmeton Klan Kosova.
Në fund Ruçi është shprehur se SHBA-ja është aleati kryesor strategjik i Shqipërisë dhe se bashkëpunimi midis Senatit të ShBA dhe Kuvendit të Shqipërisë do të fuqizohet e zgjerohet.
Ditën e djeshme Joe Biden u emërua zyrtarisht presidenti i 46-të i SHBA-së dhe Kamala Harris si zëvëndëspresidente, duke u bërë kështu gruaja e parë në Amerikë që merr këtë detyrë të rëndësishme.
Letra e plot e Ruçit:
“Me rastin e fillimit të detyrës Tuaj të lartë të Zëvëndëspresidentes së ShBA dhe njëkohësisht të Kryetares së Senatit të ShBA, kam nderin t’iu dërgoj urimet më të përzemërta në emër të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe në emrin tim personal.
Jam plotësisht i bindur se, nën drejtimin tuaj vizionar e dinamik, si një juriste e shquar dhe udhëheqëse moderne, Senati i ShBA do të vazhdojë të kryejë me sukses rolin e tij si tempulli më prestigjioz i debatit politik në botën e sotme dhe garantuesit të demokracisë amerikane.
Mbështetja juaj si Kryetare e Senatit për miratimin e politikave parësore të Presidentit Biden për kapërcimin me sukses të pandemisë Covid-19, ringritjen ekonomike, harmoninë sociale e njerëzore, ndryshimet e klimës dhe fuqizimin e koalicionit të vendeve demokratike, për përballimin e zgjidhjen e problemeve të planetit, janë garancitë për një lidership më të fortë të Shteteve të Bashkuara dhe kontributin e tyre për një botë më mirë, më të zhvilluar, me më shumë mirëqenie, siguri e paqe.
SHBA janë aleati kryesor strategjik i Shqipërisë dhe une jam shpresëplotë që bashkëpunimi midis Senatit të ShBA dhe Kuvendit të Shqipërisë do të fuqizohet e zgjerohet gjatë mandatit Tuaj.”, shkruan në letrën e urimit Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruci.