Ish-deputeti i LDK-së, Naser Rugova, tha se partia e tij është shkollë për funksionimin e demokracisë së brendshme për të gjitha partitë, nga Lubjana deri në Selanik.
Ai këtë e tha derisa kritikonte funksionimin e Vetëvendosjes duke thënë se Albin Kurti është autoriteti i pakontestueshëm, njofton Klan Kosova.
“Vetëvendosje është parti e majtë dhe dihet roli i liderit. Albin Kurti është autoritet i pakontestueshëm. Kush e kundërshton, mendon apo voton dihet çfarë fati e pret sepse linçohet nga partia. Statuti i partisë u ndërrua për Albin Kurtin kur u bë kryeministër. Nga e 97-ta e njoh Kurtin. Për funksiononim e demokracisë së brendshme LDK është shkollë prej Lubjanës deri në Selanik”.
“Vjosa Osmani nuk e ka votuar Isa Mustafën për kryeministër dhe pas tri viteve vetë Mustafa e ka kandiduar për kryeministre. Kjo nuk ndodh në asnjë parti tjetër”.
Rugova në Info Magazine mohoi se është grabitje e pushtetit nga ana e LDK-së dhe partnerëve të mundshëm , pasi që sipas tij, Gjykata Kushtetuese ka dhënë vendimin në vitin 2014.
Ndërkaq, për prishjen e Qeverisë ai akuzoi kryeministrin Kurti se ka shkelur marrëveshjen me LDK-në dhe se nuk ka dëgjuar SHBA-të për heqjen e taksës pa kushte.