Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të LDK’së, Naser Rugova, ka shpjeguar statusin e tij drejtuar Vjosa Osmanit, ku i sugjeronte të kalonte në VV.
Në emisionin Pressing në T7, Rugova ka thënë se ai nuk mund ta largojë askënd nga partia, por që vendimet e organeve duhet respektuar.
“I rekomandoj Vjosës të anëtarësohet edhe zyrtarisht në VV. Qëndrimi i saj në LDK, thjesht sa për formalitet, është fyerje për një pjesë jo të vogël të anëtarësisë së LDK-së. Me qeverinë Hoti, si formë konkrete e refuzimit të populizmit si model dhe taktikë politike, LDK ka rrezikuar shumë, por kjo nuk është sakrifica jonë e parë dhe sigurisht që nuk do të jetë e fundit, sepse LDK nuk bën aventura me fatin e Kosovës.”, kishte shkruar ai në Facebook.
‘’Janë dy rrugë: O ktheju partisë dhe respekto vendimet e shumicës, verdiktin e kushtetueses dhe sugjerimet e miqve tanë strategjik o shko në VV sepse po del shumë keq si zëdhënëse e saj nga një subjekt tjeter!’’
Ndërkohë Rugova ka shpjeguar statusin e tij.
“Nuk ia tregoj derën askujt sepse Vjosa Osmani është nënkryetare e LDK’së, ka qenë kandidate për kryeministre. Unë jam anëtar i Këshillit të Përgjithshëm. E kam mbështetur shumë Osmanin para se të kandidohej. I pari në medie e kam potencuar si kandidate. E kam votuar kandidaturën e saj dhe nuk jam penduar fare. E kemi ndërtuar një frymë pajtimi në parti. Paraprakisht konsideroj se grupi parlamentar i LDK’së ka bërë një opozitarizëm. E kemi ndërtuar një ekip solid. Kemi prit fitore. Është në traditën e LDK’së. Jemi partia e parë anti-komuniste në LDK. Statusi i LDK’së është sikur Kushtetuta për një shtet. Jemi të obliguar si pjesëtar të organeve të partisë që të respektojmë statusin.’’, ka thënë ai.
‘’Qëndrimi im ka qenë të respektohet vendimi i organeve.’’
‘’Mesazhi ndaj Vjosa Osmanit nuk ka qenë personal. Unë e kam mikeshë të mirë. Por jam besnik ndaj vendimeve të partisë’’, përfundoi ai.