Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi, ka thënë se bizneset në vend po ballafaqohem me probleme të mëdha shkaku i gjendjes së krijuar nga pandemia e Coronavirusit.
Ai parashikon se kjo situatë do të zgjasë edhe për një kohë, andaj vlerëson se Qeveria duhet të gjejë formën që të fusë mjete në qarkullim.
Sipas tij, bizneset që kanë ndalur punën janë në hall me pagat e punëtorëve dhe qiratë.
Ai ka përshëndetur paralajmërimin e Qeverisë për paketën e ndihmës në vlerë prej 170 milionë euro, por shton se kjo mund të mos mjaftojë.
“Ne po insistojmë qe të ketë paga për të gjithë punëtorët. Kjo është pyetje edhe për Qeverinë. Kriza nuk është veç për Kosovën, por për të gjitha vendet. Partneritetin do ta kemi të vazhdueshëm”, tha ai për bizneset e mbyllura dhe për punëtorët që nuk dihet nëse do të marrin pagat.
Ai shtoi se Qeveria duhet të mendojë për një paketë të ndihmës prej 300 milionë eurosh.
“Ne orientimin e kemi të sigurojmë 300 milionë euro, sa mendojmë se është e nevojshme. 200 milionë euro për paga dhe qira për periudhën e emergjencës, dy muaj apo dy muaj e gjysmë sa mund të zgjasë. 100 milionë euro do të ishin për likuiditet ose si kapital punues për kompanitë që janë prekur direkt apo indirekt nga kjo. Qeveria ka ardhur me një propozim për 170 milionë. Ne e përshëndesim, por konsiderojmë se është e pamjaftueshme”, ka thënë Rukiqi në Express intervistën në KTV.
Ai tregon se në këtë kohë, sektori privat ka më së shumti nevojë për mbështetje. Dhe jo vetëm në këtë fazë, por edhe më vonë. “Ekonomia pas virusit do të jetë ndryshe prej asaj kur nisi. Problemi kryesor qëndron te buxheti jonë. Duhet pa mundësitë. Mjetet e Trustit janë tonat, shumë lehtë mundemi me i marrë, ndoshta me një lloj ure kreditore siç po quhet, që ato mjete me na shërbye tani”, ka shtuar Rukiqi.
“Fondi Monetar mendon t’i ndajë 50 milionë euro, pastaj 75 milionë janë nga Bashkimi Evropian, një pjesë nga BERZH-i, ka programe edhe nga Banka Botërore, por varet edhe nga Qeveria”.
Ai ka përsëritur se dëmi që po përjeton ekonomia, besohet se është 10 milionë euro në ditë.
“Duhet me i minimizu humbjet, duke futur mjete në qarkullim, duke e ndihmuar likuiditetin. Buxheti mbushet nga qarkullimi. Bizneset e vogla dhe te mesme gati të gjitha janë të mbyllura”, ka thënë kreu i Odës Ekonomike të Kosovës.