Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi i ka reaguar ministrit në detyrë, Hekuran Muratit i cili publikoi shifra dhe bëri krahasimin e qarkullimit të bizneseve deri në muajin gusht të këtij viti me atë paraprak.
Rukiqi ka ironizuar duke e quajtur Muratin ekspert për gjithçka.
“Po, i nderuar ‘ekspert’ për gjithçka. E saktë është rritja e qarkullimit dhe fitimeve në kompanitë që merren me shitblerjen e energjisë elektrike, si pasojë e rritjes stratosferike të çmimeve të energjisë. Pyeti prodhuesit dhe bizneset në sektorë të tjerë nëse e kanë këtë rritje”, shkroi Rukiqi.
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati shkroi se “Qarkullimi i bizneseve deri në fund të muajit gusht të këtij viti ka shënuar 15.2 miliardë euro, apo 10.06% më shumë sesa periudha e njëjtë e vitit të kaluar. Dinamikë të ngjashme ka pasur edhe fitimi neto i bizneseve, i cili bazuar në deklarimet e tatimit në fitim të korporatave del se ka shënuar rritje prej 9.45% krahasuar me vitin e kaluar”.