Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka deklaruar se sipas rezultateve jozyrtare të numërimit të votave, ka dështuar mocioni për shkarkimin e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, raporton Ekonomia Online.
Pas përfundimit të Kuvendit të Jashtëzakonshëm të LDK-së, teksa po vazhdonte numërimi i votave, Rukiqi tha se rezultatet paraprake tregojnë se shumica e delegatëve kanë votuar kundër shkarkimit të Abdixhikut.
“Janë duke u numëruar votat, por jo zyrtarisht. Është diku 169 kundër shkarkimit, kështu që i bie që dështon mocioni i shkarkimit”, tha Rukiqi.
Ai shtoi se rezultati është i ngjashëm me atë të Kuvendit të janarit, ndonëse nuk dha shifra të sakta.
“Pak a shumë është rezultati i janarit aty diku. Nuk e di saktë, mos më kapni prej numrave, por ajo çfarë është me rëndësi është që ka dështuar mocioni i shkarkimit”, u shpreh ai.
Rukiqi vlerësoi se delegatët kanë marrë vendimin e duhur duke mos mbështetur mocionin, duke shtuar se mbajtja e këtij kuvendi nuk ka qenë e nevojshme.
“Si delegat unë mendoj që ka qenë vendim i duhur i delegatëve të tjerë të Lidhjes Demokratike të Kosovës që të vazhdohet, sidomos në këtë fazë s’ka pasur nevojë fare për kuvend”, deklaroi ai.
Sipas tij, rezultati duhet të shërbejë si mësim për të shmangur procese që, sipas tij, e dëmtojnë partinë.
“Po besoj që rezultati ju ka dhënë të gjithëve mësim. Domethënë që nuk nisen procese të cilat e dëmtojnë partinë dhe besoj që të gjithë do ta gjejnë vullnetin dhe do ta gjejnë rrugën për me i dhënë Lidhjes Demokratike të Kosovës qartësi dhe drejtimin e duhur, sidomos në një kohë shumë jetike për Kosovën”, përfundoi Rukiqi.