Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka reaguar për “korrigjimin” që Zyra Kombëtare e Auditorit (ZKA) ka dërguar sot pasdite në lidhje me shpenzimet e Qeverisë së Kosovës për karburante, raporton Ekonomia Online.
Berat Rukiqi, anëtar i kryesisë së LDK-së, ka thënë në një konferencë për shtyp të thirrur në orët e mbrëmjes, se ky është një falsifikim i drejtpërdrejtë i raporteve zyrtare dhe ka kërkuar nga Prokuroria hetime për këtë “rast të paprecedentë”.
“Jemi në orët e vona për këtë konferencë për shkak të një rasti të paprecedentë që ka ndodhur, një rast i rëndë i ndërhyrjes institucionale, përkatësisht Qeverisë së Kosovës në institucionet e pavarura, në këtë rast në raportet zyrtare të Zyrës Kombëtare të Auditimit. Është një rast i paprecedentë për shkak se një të tillë nuk e kemi pa asnjëherë në demokraci”.
“Nuk është vetëm ndërhyrja në numra, por është një falsifikim i drejtpërdrejtë i raporteve zyrtare që kanë qenë publike që nga muaji gusht i këtij viti. Bëhet fjalë për raportin e auditimit të financave publike, këtë punë që duhet ta kryejnë në mënyrë të pavarur Zyra e Auditorit dhe si e tillë është dashur të qëndrojë, mirëpo ndërhyrja e sotme e Ministrit të Financave, i cili pas humbjes së argumenteve me nënkryetaren e Lidhjes Demokratike të Kosovës, zonjën Hykmete Bajrami, ndërhyn dhe pastaj Zyra Kombëtare e Auditimit e falsifikon raportin në rastin në fjalë”.
Ai ka thënë se Qeveria Kurti po ndërhyn në raporte të “institucioneve që do duhej të ishin shembuj të llogaridhënieve dhe transparencës”. Andaj, Rukiqi ka theksuar se LDK-ja do të angazhohet me të gjithë kapacitetin e saj që të zbardhet ky rast.
“Kemi të bëjmë me çështjen e shpenzimeve për naftë, një qeveri e cila shpenzon në naftë dhe karburante të tjera mbi 31 milion euro, që është trefish më shumë së sa mesatarja që ka qenë para ardhjes së kësaj qeverie. Sigurisht duke e parë këtë krim institucional, ata sot ndërhynë në mënyrën më të pa imagjinueshme, por në të njëjtën kohë vetëm ashtu siç dinë të bëjnë ata me manipulime, me propagandë edhe me falsifikime tani edhe të raporteve të institucioneve që do duhej të ishin shembuj të llogaridhënieve dhe transparencës”.
“Lidhja Demokratike e Kosovës e dënon fuqishëm këtë akt të falsifikimit dhe në të njëjtën kohë i bën thirrje organeve hetuese, përkatësisht Prokurorisë, që ta hetojë sa më shpejtë këtë krim të rëndë. Një falsifikim i tillë nuk mund të cilësohet ndryshe përveç se një krim i rëndë institucional ku ka shumë palë të përfshira. LDK do të angazhohet me të gjithë kapacitetin e vetë edhe brenda institucioneve, përkatësisht brenda parlamentit që të zbardhet ky rast i rëndë i falsifikimit dhe i ndërhyrjes së qeverisë në institucionet e pavarura. Gjithashtu ne garantojmë qytetarët e vendit që do të punojmë vazhdimisht që të mbrohet demokracia në vend dhe në të njëjtën kohë garantojmë që ndryshimi po vjen dhe ky ndryshim bëhet për një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët e vendit tonë”, ka thënë Rukiqi.
Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës ka dalë me një sqarim lidhur me akuzat që sot dolën nga deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, e cila tha se ky institucion u ndikua nga ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, për ndryshim të shifrës së shpenzimeve të karburanteve për vitin 2023 nga ekzekutivi.
Në reagimin e ZKA-së thuhet se Auditorja e Përgjithshme dhe Zyra Kombëtare e Auditimit sigurojnë Kuvendin e Kosovës, opinionin publik si dhe subjektin e audituar se ky gabim teknik nuk ka pasur ndikim për nga aspekti i auditimit në raport, si dhe në opinionin e auditimit për Raportin Vjetor Financiar të Buxhetit të Republikës së Kosovës.
Ndër tjera, aty theksohet se sipas metodologjisë së Zyrës Kombëtare të Auditimit në tri vitet e fundit shifra për shpenzimet e karburantit është e përmbledhur.
“Sipas dëshmive të auditorit, vlera e korrigjuar për 2023 për karburante përfshin shpenzimet për vetura në vlerën 10,471,000 €, naftën për ngrohje qendrore 7,590,000 €, mazutin 833, 000 €, derivatet për gjeneratorë 520,000 €, dru 8,288, 000 € si dhe vaj 208, 000 €”, thuhet në reagim.
LEXO EDHE: