Rukiqi-politikanëve: Mos premtoni rritje pagash, është ngulfatur mundësia për punësim në sektorin publik

Prishtinë | 31 Gus 2019 | 07:54 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, thotë se buxheti i Kosovës nuk mund të përballojë më shumë rritje të pagave.

Ai ka porositur politikanët që në fushata të mos japin premtime të tilla, pasi që sipas tij tashmë është ngulfatur mundësia të ketë punësime të reja në sektorin publik dhe të ketë rritje pagash.

Ligji i ri i Pagave pritet të hyjë në fuqi në nëntor të këtij viti, duke rritur pagat në disa sektorë publikë dhe thelluar edhe më shumë dallimet me sektorin privat. Rritja e pagave kishte qenë premtim në shumicën e fushatave të kaluara.

Kreu i OEK-ut, Rukiqi, në një prononcim për Ekonomia Online thotë se do të duhej ë partitë politike ta kishin një mirëkuptim që në fushatë të mos hynë me premtime e pastaj me obligime për të rritur paga, sikur në zgjedhjet kaluara.

“Sepse kjo pastaj po bëhet edhe akt në momentin që po vijnë qeveritë. Atëherë ka pasur premtime për mësuesit, punëtorët shëndetësorë, e për kategori të caktuara për sindikata të ndryshme dhe pastaj ata e kanë rritur presionin dhe kjo ka krijuar efekt të drejtpërdrejtë”, thotë Rukiqi.

“Uroj që partitë politike ta kenë parasysh që është ngulfatur më mundësia me punësu njerëz të rinj në sektorin publik, përveç aty ku ka nevojë të domosdoshme dhe është ngulfat mundësia që me u rrit pagat. Ne buxhetin ose duhet me e bërë buxhet me i mbajt këta njerëz dhe mos me përfitu asnjë tjetër pjesë e shoqërisë ose me bërë buxhet zhvillimor që përfitojnë të gjithë dhe vendi ia sheh hairin”, tha ai.

Rukiqi tha se Ligji i ri i Pagave përfshin rritje të pamerituara në disa sektorë. Ai tha se në sektorin e arsimit dhe shëndetësisë kanë qenë rritje të pamerituara sepse këto dy sektorë nuk janë duke ofruar shërbime cilësore dhe po mungojnë rezultatet.

“Ende nuk e kemi një kosto finale se sa do të kushtoj implementimi i Ligjit të Pagave, kemi ligj por që është më shumë kosto, ata që kanë thënë se është i mirë Ligji është mirë që e kemi, por në anën tjetër nga sektori privat po konsiderojmë se Ligji krijon shumë rritje të pamerituar”, tha ai për Ekonomia Online.

Rukiqi tha se të rinjtë kosovarë si vend pune janë duke parë vetëm sektorin publik, ku ky i fundit është i stërmbushur me punësime.

“Ne e dimë performancën e sektorit publik, ne shohim jo efikasitet të theksuar, përveç në segmentet e sektorit të sigurisë që kanë një punë meritore me angazhim të jashtëzakonshëm si policia, zjarrfikësit, etj që kanë rrezikshmëri të caktuar në vendin e punës. Nuk është që nuk është nevoja të rriten pagat p.sh në sektorin e shëndetësisë, mirëpo kjo duhet me u lidh me një rezultat nëse nuk kemi progres në efikasitetin e këtij sektori atëherë pse të kemi një rritje, ose edukimi vazhdimisht presione, shantazhe, kërkesa që i kanë servuar sindikatat për të arrit një pagë në sektorin e arsimit, por cilësia është kjo që e shohim çdo ditë”, tha Rukiqi.

“Krejt kjo rritje që ka ndodh e që po vazhdon, po krijon hendek mes sektorit publik dhe privat. Në Kosovë vend pune konsiderohet vetëm sektori publik”, shtoi Rukiqi.

Ai tha se Qeveria e ardhshme duhet të ketë fokus investimet dhe eksportin ndërsa tha se sistemi aktual i edukimit nuk po plotëson nevojat e tregut.

“Në Qeverinë e ardhshme fokus të jenë investimet dhe eksporti sepse nuk ka treg të mjaftueshëm në Kosovë që me u fokusu vetëm çka mundemi me bë ne duhet parë tregjet tjera, fokus në politika të drejtpërdrejta atraktive, të guximshme e kreative për nxitjen e investimeve me involmim të drejtpërdrejtë të krerëve qeveritar, të kemi një orientim të qartë se çka duam të bëjmë në raport me fuqinë punëtore, ky sistem i edukimit nuk po na jep fuqi punëtore, nuk po jep shkathtësi të mjaftueshme, nuk po na ndihmon të plotësojmë nevojat e tregut të punës dhe duhet pozicionim”, shton ai për EO.

Të ngjashme