Rukiqi: Promovimi në “Economist” rezultat i një memorandumi, Qeveria nuk pranoi të japë asnjë cent

Prishtinë | 29 Gus 2023 | 20:35 | Nga Ekonomia Online

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, tani zyrtar i LDK-së, Berat Rukiqi, ka thënë se për promovimin e ekonomisë së Kosovës në gazetën britanike ”The Economist“ nuk është dhënë asnjë cent nga Qeveria e Kosovës.

Reagimi i tij vjen pasi ”The Economist“ publikoi një artikull për Kosovën, ku fliste për sukses ekonomik.

Artikulli i gazetës britanike u shpërnda nga Lëvizje Vetëvendosje, të cilët u lavdëruan dhe thanë se një gjë e tillë është meritë e Qeverisë Kurti.

Mirëpo, gazeta prestigjioze tregoi se artikulli nuk është i krijuar nga ta, teksa e njoftoi publikun për sponsorizim.

“The Economist, është rezultat i një Memorandumi të nënshkruar, nga Oda Ekonomike e Kosovës, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, Klubi i Prodhuesve të Kosovës dhs Projekti i USAID, Kosovo Compete, në dhjetor të vitit 2021”, shkroi Rukiqi në Facebook.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës nuk ka pranuar të paguajë për këtë promovim.

“Pavarësisht qëllimit të mirë, Qeveria e Republikës së Kosovës nuk ka pranuar të paguajë asnjë cent për këtë promovim”, tha ai.

Për këtë memorandum, Kosovo Export Network e kishte bërë të ditur lajmin gjatë vitit 2021.

“Odat dhe organizatat kryesore të biznesit kanë bashkuar forcat për të promovuar ndërkombëtarisht eksportin dhe potencialin investues të sektorit privat të Kosovës! Javën e kaluar, Oda Ekonomike e Kosovës, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, Klubi i Prodhuesve të Kosovës dhe USAID Kosova Compete Activity, bashkëpunuan për të zbatuar një program për marrëdhënie me publikun për të përmirësuar perceptimet ndërkombëtare për Kosovën si një vend me biznes të qartë, investime. dhe mundësitë e eksportit”, thuhej atëkohë në njoftim.

“Përmes aktiviteteve të ndryshme, programi synon të zgjerojë vetëdijen dhe të ndikojë në një ndryshim pozitiv në perceptimet e jashtme për Kosovën, të forcojë lidhjet e biznesit dhe eksportit ndërmjet Kosovës dhe partnerëve të huaj të biznesit, dhe të forcojë rolin e organizatave mbështetëse të biznesit si partnerë të rëndësishëm promovues dhe agjentë të ndryshimit”.

Të ngjashme