Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike e Kosovës (LDK), Berat Rukiqi ka komentuar vendimin e fundit të Qeverisë së Kosovës për rritjen e pagave të punëtorëve në sektorin publik.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Rukiqi ka deklaruar se LDK-ja ka bërë propozimin e saj të koeficientit, pavarësisht rritjes të pagës, ai ka thënë se ‘qytetarët janë të dërrmuar dhe pa shpresë nga siguria e jetesës’.
“Ne e kemi propozuar koeficientin tone, ne jemi në opozitë, ne nuk mund të bëjmë tani rritje tjetër, por normalisht me udhëheqjen e qeverisë, koeficienti 150 është dukshëm më stabil më i qëndrueshëm dhe normalisht edhe me më shumë ndikim tek xhepat e secilit shërbyes publik, kur them me më shumë ndikim pozitiv për shkak se me një anë e adreson rritjen e çmimeve edhe në anën tjetër e adreson nevojën që ti mbajmë këta shërbyes në Kosovë që pavarësisht pagës shumica prej tyre thellësisht të dërrmuar nga siguria e jetesës në kuptim të asaj se a kanë mjete të mjaftueshme me i paguar faturat e veta”.
Rukiqi ka thënë se qytetarët janë realisht të pashpresë, ngase gjatë katër viteve Qeveria Kurti nuk ka përmbushur asnjë premtim.
E nëse LDK-ja do të jetë në krye të shtetit, Rukiqi premtoi se në javën e parë të qeverisjes do të sigurojnë qytetarëve paga të dinjitetshme.
“Këta i marrin 25 mijë dhe tentojnë me krijuar në iluzion optik që janë krijuar 75 mijë vende pune”, kështu thotë anëtari i LDK-ës, për premtimet e Qeverisë.
“Janë realisht të pashpresë për shkak se 4 vite shkuan pa u bërë asgjë dhe pa u mbush asnjë premtim dhe në këtë situatë shumë prej tyre e shohin rrugë të vetme migrimin. Kështu që duhet me u ndikuar drejtpërdrejtë në standardin e jetesës së tyre dhe në këtë mënyrë ndikojnë të gjithë këta profesionist, polic të dinjitetshëm, mjek të dinjitetshëm, zjarrfikës të dinjitetshëm, mësimdhënës të dinjitetshëm e të gjitha kategoritë që janë të shërbimit publik duke qenë të dinjitetshëm me një pagë të dinjitetshme të cilën ne e sigurojmë në javën e parë të Qeverisjes ndihen mirë duke punuar në Kosovë dhe duke punuar në vendin e vet”.
“Unë e kam bërë një analizë, është e pasaktë ajo që thotë qeveria për dy arsyeje, arsyeja e parë është për shkak se e fut në llogarinë e vet edhe vendet e punës që janë humb përkohësisht në pandemi që kanë qenë rreth 225 mijë kanë humb përkohësisht po them për shkak se për një kohë njerëzit nuk kanë punuar, ekonomia ka qenë e mbyllur, d.m.th. ato vende pune kanë qenë atu, vetëm që nuk kanë arritur të punojnë të njëjtit për shkak se ka qenë ekonomia e mbyllur”.
“Arsyeja e dytë që nuk është e saktë ajo që po thotë qeveria është për shkak se shumica e këtyre vendeve të punës janë vende një ditë angazhim, disa ditë angazhim, kontrata afatshkurtra, kontrata shërbimesh, pastaj disa skemat të punësimit të përkohshëm, do të thotë nuk janë vende pune të qëndrueshme, për më shumë një element që duhet të theksohet dhe që është shumë i rëndësishëm të theksohet në llogarinë e të papunëve, tash nëse dalim tek të papunët njerëzit të cilët janë në moshë pune dhe që nuk janë aktiv në kërkim të vendit të punës pra që nuk shkojnë në zyrat e punësimit i kanë përjashtuar nga llogaritja e papunësisë”, ka theksuar ai.
Tutje, ai shtoi se për të rinjtë në Kosovë, Qeveria nuk ka krijuar kushte të shkollimit, trajnimeve, e as vend pune, për këtë sipas tij, “rrugë të vetme e shohin migrimin”.
“Raporti i Progresit dje thekson që 33.4 % e të rinjve në moshë pune d.m.th. që janë të moshës së re dhe që janë të aftë për punë as nuk janë në vend pune e as nuk janë duke u shkolluar dhe as nuk janë duke e ndjekur ndonjë trajnim, dhe sipas të njëjtit raport po këta të rinj duke mos pasur as shkollim, as trajnime, as vend pune rrugë të vetme e shohin migrimin”.
Në fund, ai ritheksoi se kjo Qeveri po tenton të mbulojë me çështje politike “dështimet e vazhdueshme të tyre”, raporton EO.
“Nuk është çështje e mbulimit është çështje e arsyetimit të vazhdueshëm të dështimit që i kanë nëse ka dështime e nuk arrin me i shtuar më shumë se dy kilometra rrugë të reja në vend, normalisht që ki me tentuar me i ngarkuar njerëzit me tema politike të cilat aspak nuk kanë ndikim në jetën e tyre”.
Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të martën ka njoftuar se nga janari i vitit 2025 do t’i rris pagat në sektorin publik.