Rumania, shteti i dytë me shkallën më të ulët të vaksinimit në Bashkimin Evropian, të martën shënoi rekord të të vdekurve nga Covid-19 me 591 viktima për 24 orë.
Përpos të vdekurve, gjatë kësaj periudhe në Rumani u regjistruan edhe mbi 11.000 raste të reja me Covid-19, shkruan Free Europe.
Vendi i Evropës Juglindore me rreth 19 milionë banorë ka raportuar se nuk ka më shtretër të lirë në repartet e kujdesit intensiv. Disa shtete si Polonia, Hungaria e Gjermania kanë filluar që të marrin pacientë nga Rumania përmes transportit ajror.
Ndonëse numri i të vaksinuarve është rritur në javët e fundit për shkak të frikës nga infektimi, skepticizmi, i nxitur nga fushatat dezinformuese në rrjetet sociale, mbetet i lartë.
Pos Rumanisë, në gjendje të rëndë janë edhe vendet tjera të Evropës Lindore e Juglindore. Ukraina e Rusia po shënojnë rekorde ditëve të fundit, ndërsa Bullgaria e ka shkallën më të lartë të viktimave për 100.000 banorë në tërë botës, sipas të dhënave të Universitetit “Johns Hopkins”.