Gjykata Supreme e Rusisë e ka konfirmuar dënimin me burg të përjetshëm për personin, Aleksei Pichugin, ish-shef i sigurisë në kompaninë Yukos, e cila aktualisht është jofonksiponale.
Rasti i Pichuginit u rishqyrtua në Gjykatën Supreme, pasi Gjykata Evropiane për të drejtat e njeriut, në muajin qershor, mori vendim se autoritetet e Rusisë i kishin shkelur të drejtat e tij gjatë hetimeve dhe e kishin injoruar supozimin për pafajësi, dhe e ka urdhëruar qeverinë ruse që t’i paguaj shumën prej 15 mijë eurosh.
Në vitin 2007, Aleksei Pichugin, ishte dënuar me burgim të përjetshëm, lidhur me akuza për vrasjen e tre njerëzve, përfshirë edhe kryetarin e qytetit, i cili i kishte bërë presion Yukosit për të paguar më tepër tatime. Pichugin thotë se është i pafajshëm.
Dikur kompania më e madhe e naftës në Rusi, Yukos është shkatërruar pasi në vitin 2003 ishte arrestuar shefi i saj kryesor, Mikhail Khodorkovsy, i cili më vonë ishte dënuar për krime financiare, gjatë dy proceseve, për të cilat ai dhe mbështetësit e tij thonë se ishin të orkestruara nga Kremlini, për ta ndëshkuar atë për sfidimin e presidentit, Vladimir Putin, dhe për ta zgjeruar kontrollin e Kremlinit ndaj të ardhurave të eksportit të naftës.
Kapacitetet kryesore prodhuese të Yukosit ishin shitur në ankand dhe patën përfunduar në gjirin e kompanisë shtetërore të naftës, Rosneft.
Khodorkovsky i vuajti 10 vjet burg, ndërsa u lirua pas amnistisë së Putinit në vitin 2013. Ai pas lirimit nga burgu, iku nga Rusia.
Kërkesa e Pichuginit për amnisti është refuzuar nga Putini.
Grupi rus për të drejtat e njeriut, Memorial, e konsideron Pichuginin si të burgosur të ndërgjegjjes.