Ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov tha gjatë një konference të përbashkët shtypi me ministrin e Jashtëm të Kinës Wang Yi, se Bashkimi Evropian ka shkatërruar infrastrukturën e marrëdhënieve të ndërsjella.
Kryediplomati rus tha se blloku detyroi zhvillimin më të shpejtë të marrëdhënieve Rusi-Kinë, duke shkatërruar të gjitha mekanizmat që ishin ndërtuar gjatë viteve.
“Po e theksoj edhe një herë: ne nuk kemi marrëdhënie me Bashkimin Evropian si një organizatë. Infrastruktura e marrëdhënieve u shkatërrua nga vendimet e njëanshme të Brukselit”, tha Lavrov.
Ministri i Jashtëm rus po ashtu akuzoi Shtetet e Bashkuara se kishte ndikuar te politika e vendeve të tjera, ndërsa u shpreh se sanksionet dhe ultimatumet nuk janë të pranueshme.
Marrëdhëniet e Rusisë me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian janë në nivelet më ulëta që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë, pasi Moska pushtoi Krimenë e Ukrainës duke e aneksuar atë në shkurtin e vitit 2014.
Marrëdhëniet u tendosën edhe më tej pas ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhje, sulmeve kibernetike dhe së fundmi burgosjes së udhëheqësit të opozitës ruse Alexey Navalny, pas helmimit të tij, për të cilin ai fajësoi Kremlinin. Autoritetet ruse i kanë hedhur poshtë akuzat. \ Voa